Plani franko-gjerman: Franca foli pak për të, dhe takimin Macron-Kurti-Osmani - NACIONALE

Plani franko-gjerman: Franca foli pak për të, dhe takimin Macron-Kurti-Osmani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nën margjinat e Forumit të Paqës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti mbajtën një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ky i fundit, diskutoi edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Sa i përket planit franko-gjerman, Franca deri më tani ka deklaruar se është e përfshirë në nivelet më të larta të dialogut mes dy vendeve.

Tanimë është konfirmuar se plani franko-gjerman ekziston. Të dyja palët kanë kthyer përgjigje në lidhje me pikat e këtij propozimi për normalizimin e marrëdhënieve, derisa Kosova vlerëson se “ka një bazë të mirë".

Çfarë thotë Franca?

Së fundi, shteti francez është pyetur në lidhje me pikat e publikuara nga mediumi “Euroactiv” rreth këtij plani, duke kërkuar që të konfirmohet se a janë “në të vërtetë”, ato që përmban ky propozim.

Ministria për Punë të Jashtme dhe për Evropën ka deklaruar se Franca vazhdon t’i përkrah përpjekjet e Bashkimit Evropian për një marrëveshje mes dy vendeve.

Madje, në përgjigjen rreth planit franko-gjerman, kanë konfirmuar se janë të përfshirë në nivelet më të larta të kësaj çështje.

“Franca është e përfshirë në nivelet më të larta të kësaj çështje, e cila është sfidë në sigurinë evropiane”, është thënë nga shteti francez.

Kjo ministri, ka folur edhe për takimet që presidenti francez, Emmanuel Macron, pati me liderët e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani e Albin Kurti, derisa shtoi se “diskutimet po vazhdojnë”.

“Kështu, presidenti Macron pati dy biseda të ndara më 10 nëntor nën margjinat e Forumit të Paqës në Paris me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe me presidenten e kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Diskutimet po vazhdojë”, thuhet në përgjigjet e publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Scholz foli rreth planit, e konfirmoi që ekziston

Në samitin e Procesit të Berlinit, kancelari gjerman, Olaf Scholz e konfirmoi që një plan i tillë ekziston dhe se shumë shpejt, do të shihet rezultati rreth kësaj çështje.

“Padyshim që duhet të ndodhë një lloj pajtimi mes Kosovës e Serbisë. E vërtetë, kemi propozuar diçka, por duhet durim dhe shpresojmë se do ta shohim së shpejti rezultatin për këtë çështje”, tha ai.

Veç kësaj, ai deklaroi se duhet të arrihet një marrëveshje në çështjen mes Kosovës e Serbisë.

"Kemi bërë progres të konsiderueshëm për Maqedoninë e Veriut e Bullgarinë, është folur për takim të sukesshëm, proceset kanë nisur me Shqipërinë e Maqedoninë. Sa u takon Serbisë dhe Kosovës, edhe për to vlen e njëjta gjë, duhet të arrihet një marrëveshje”, ka thënë ai.

Në fund, gjatë deklarimit të tij para gazetarëve, Scholz kishte deklaruar se Gjermania, Franca dhe Komisioni Evropian, po bëjnë të pamundurën që të zgjidhet kjo çështje dhe se janë të përfshirë në bisedime.

“Ne dhe qeveria franceze, Komisioni Evropian, po bëjmë të pamundurën që të realizojmë një gjë të tillë. Jemi përfshirë në mënyrë shumë aktive në bisedime me të dyja palët. Shpresojmë që shumë shpejt do të vijmë në një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe ku të arrihet një mirëkuptim”, shtoi kancelari gjerman.

Çka thanë Osmani e Kurti pas takimit me Macron?

Pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi se e ka falenderuar emisarin Macron për angazhimin rreth dialogut dhe dinamizimin, që Franca bashkë me Gjermaninë, po mundohen të bëjnë.

Edhe këtu, kryeministri Kurti tha se ka specifikuar që propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka thënë Kurti.

Sa i përket presidentes Osmani, ajo s’e ka thënë ndonjë fjalë rreth këtij plani, përveç se tha që kanë diskutuar rreth dialogut dhe zhvillimeve të fundit në vend.

“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, ka thënë tutje Osmani.

Plani franko-gjerman

Sipas planit të publikuar nga Euroactiv, propozimi i ka 9 nene, ku në të parin, përmenden “marrëdhënie normale e të mira fqinjësore mes Kosovës e Serbisë”.

Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.”, thuhet në nenin 1 të planit franko-gjerman, gjersa në nenin 2 përmendet aspirata e dy vendeve për anëtarësim në BE.

Në nenin 3, në këtë plan thuhet se Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhen të gjitha problemet me mjete paqësore, duke theksuar se të dy palët vazhdojnë me supozimin se nuk mund të përfaqësojnë asnjërën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.”, thuhet në nenin 6.

Veç kësaj, sipas këtij raportimi, propozimi thotë se Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë misione të përhershme, që do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse.

Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.”, shkruhet në nenin 9 dhe të fundit të planit franko-gjerman.

Lajme të ngjashme