Plani evropian, Lajçak vjen sonte në Kosovë
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që të vijë sonte në Kosovë, në një vizitë që lidhet me propozimin evropian për marrëveshjen mes dy vendeve.
Radio Evropa e Lirë raporton se burime të saj kanë treguar se kjo vizitë ka të bëjë me përpjekjet për t’i bindur palët që ta pranojnë propozimin.
Megjithatë, siç thuhet tutje, Qeveria e Kosovës nuk e ka konfirmuar ende një vizitë të tillë.
Nacionale ka kontaktuar edhe zëdhënësit e BE-së në lidhje me këtë çështje, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.
Vlen të theksohet se ditëve të fundit, Lajçak ka zhvilluar takime me shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e që janë anëtare të BE-së.
Lajçak qëndroi në Kosovë edhe gjatë javës së kaluar, bashkë me katër emisarë të tjerë, duke përfshirë këtu edhe atë amerikan, Gabriel Escobar.
