Plagosja e dy të rinjve serbë: Avokati i ish-ushtarit të FSK-së polemizon me kryetarin e Shtërpcës
Pjesëtari i FSK-së, Azem Kurtaj, ka dalë dje para Gjykatës Themelore në Ferizaj. Ai akuzohet për plagosjen e dy fëmijëve të komunitetit serb në fshatin Govushë të Shtërpcës në fillim të këtij viti. Seanca e djeshme është shtyrë, për shkak të disa procedurave teknike.
Shtyrja e seancës është bërë me kërkesë të palës së dëmtuar me arsyetim se nuk janë përkthyer dokumentet dhe aktakuza në gjuhën serbe. Trupi gjykues i udhëhequr nga Imri Sejda, ka aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar dhe ka shtyrë seancën për një ditë tjetër.
Në anën tjetër, Kujtim Kerveshi, avokati i Kurtajt, ka thënë se sipas aktvendimit mbajtja e klientit të tij në paraburgim është e kundërligjshme.
"Mbajtja në paraburgim e Azem Kurtaj është e kundërligjshme sepse pas ushtrimit të aktakuzës, kanë pushuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të klientit tonë meqë as me aktakuzë tani i mbrojturi jonë nuk akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë. Tani aktakuza kundër Azem Kurtaj është ngritur për veprat penale ,’shkaktim i rrezikut te përgjithshëm dhe përdorim i armës’", ka thënë Kerveshi.
Dalibor Jevtiq përzihet në punët e drejtësisë
Kurtaj akuzohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm". E kjo akuzë ndaj Kurtajt duket se e ka nervozuar kryetarin e Komunës së Shtërrpcës Dalibor Jevtiq.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar për dy serbët që janë plagosur.
Sipas tij, serbët në Kosovë ndalohen dhe dënohen pa prova.
“Në ditën e Krishtlindjeve të këtij viti, Stefan dhe Millosh u plagosën, me armë zjarri A.K.. Në aktakuzën kundër A.K. vepra cilësohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Dhe ndërsa serbët ndalohen dhe dënohen pa prova, përpjekja për të vrarë serbët kualifikohet si "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm", ka shkruar Jevtiq.
Këtij pretendimi të Jevtiq i është përgjigjur menjëherë avokati i ish-pjesëtarit të FSK-së, duke kërkuar nga Jevtiq t’i tërheqë fjalët.
Sipas Avokatit Kërveshi, nëse Jevtiq nuk i tërheq fjalët dhe nuk kërkon falje, do të inicoj rast kundër tij, e do të shihen në gjykatë.
“Ndërhyrjet në drejtësi dhe cenimi i dinjitetit të z. Kurtaj nuk kanë të ndalur. Mbrëmë, Kryetari i komunës së Shtërpces, publikisht dhe në mënyrë arbitrare ka ndërhyrë në procesin gjyqësor të të mbrojturit tonë, duke paragjykuar rastin dhe cenuar dinjietin e klientit tonë, për çka, ne mbrojtja e z Kurtaj nuk do të rrimë duke bërë rolin e spektatorit! Duke komentuar në Twitter, i njëjti paska spekuluar ndër të tjerash se, gjoja i mbrojturi jonë paska shtënë në drejtim të dy të plagosurve”, ka shkruar Kërveshi.
Ai i ka mohuar të gjitha pretendimet e kryetarin të Komunës së Shtërpcës.
“Si pikë nisje, nuk ekziston asnjë dëshmi që i mbrojturi jonë ka shtënë në drejtim të të plagosurve! Jevtic nuk besoj se ka kompetencë profesionale e posacerisht nuk ka të drejtë të patagjykoj raste të cilat hynë në domenin e gjyqësorit, ti vlerësoj ato e të jap konstatime profesionale. Një veprim i tillë politik, besojmë ne, ka për qëllim vetem përfitimin politik në mesin e atyre që i besojnë një përfaqësuesi të tillë. I njejti shkon edhe më larg, kur i jep kontekst etnik kësaj ngjarje dhe vazhdon duke konkluduar se ‘deri sa sërbët i paraburgosin dhe denojnë pa prova, tentim vrasja ndaj sërbëve kualifikohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshem’”, ka shkruar ai.
Ai ka ftuar të parin e kësa komune që të distancohet nga deklarata e tij.
“Ky zotëriu për këtë deklakratë do të procedohet ligjerisht nga mbrojtja e z. Azem Kurtaj. Me këtë rast, kushdo, kurdo dhe ku do që tenton me e etiketu z Kurtaj, me ndërhy në drejtësi, me e ofendu dhe/ose me shpifë dhe të fyej z. Kurtaj, ne do të kërkojmë që drejtësia të flas përshtatshmerisht dhe pa paragjykim, për aq sa ne na takon. Si mbrojtje e z Kurtaj, as këtë deklarim e asnjë veprim të ardhshëm nuk do e tolerojmë dhe do e adresojmë sipas ligjit. E ftojmë z. Jeftic të distancohet nga kjo gjuhë toksike dhe të kërkoj falje publike, në rast të kundërt, shihemi në gjykatë!” ka shkruar Kërveshi”, ka shkruar Kërveshi.
Çfarë kishte ndodhur në Shtërrpcë?
Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në komunën e Shtërpcës, e cila është e banuar kryesisht me serbë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kishin mbetur të plagosur dy persona. Bëhej fjalë për dy të rinj, një fëmijë 11-vjeçar dhe një 31-vjeçar.
Pas plagosjes, atyre iu ishte dhënë ndihma mjekësore në Shtëpinë e afërt shëndetësore, dhe më pas të njejtit ishin dërguar në repartin e kirurgjisë në Graçanicë.
Rastin e kishte dënua i gjithë spektri politik.
I menjëhershëm kishte qenë edhe reagimi i kryeministri Kurti.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, kishte shkruar Kurti.
Ai kishte siguruar të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës ofron siguri për të gjithë.


