Djalë i dëshmorit të UÇK-së, i dekoruar nga Ushtria e Shqipërisë: Kush është i dyshuari për rastin në Shtërpcë?
Dy të rinj – mes të cilëve një i mitur – mbetën të plagosur sot pas një rasti ende të pazbardhur në Shtërpcë që ndezi përkohësisht shkëndijat e tensioneve të reja ndër-etnike në Kosovë. Por, në këtë rast fatkeqësisht duket se është i dyshuar një ushtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kush është ai?
Policia e Kosovës njoftoi që A.K. ishte arrestuar tashmë, ndërsa për rastin reaguan edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Armend Mehaj.
Ky i fundit tha se ishte njoftuar “se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është prëfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” derisa e dënoi ashpër rastin.
Por, kush është A.K.?
Nacionale ka mësuar se bëhet fjalë për Azem Kurtajn, të birin e Danush Kurtajt. Danush Kurtaj është dëshmor i UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë dhe kishte mbetur i plagosur rëndë më 21 maj të vitit 1999 për të vdekur një ditë më pas. Ai kishte qenë i burgosur në Dubravë dhe ishte mes shumë viktimave në masakrën e kryer nga forcat serbe.

Më 25 nëntor, ose më pak se dy muaj më parë, Azem Kurtaj kishte qenë mes ushtarëve të Kosovës që ishin dekoruar nga Ushtria e Shqipërisë.

Kurtaj raportohet se është 33 vjeçar.
Në një lidhje telefonike me portalin Indeksonline, Kurtaj ka thënë se ndihet i pafajshëm për rastin që ka ndodhur në Shtërpcë.
Nga ky rast raportohet se mbetën të plagosur Stefan Stojanoviqi (11 vjeçar) dhe Millosh Stojanoviqi (21 vjeçar). Pas këtij rasti, serbët kishin bllokuar magjistralen Ferizaj-Shtërpcë.
Deri tash nuk dihet se si saktësisht ka ndodhur ngjarja (përveç që ishte shtënë nga automjeti në lëvizje) apo motivi prapa saj.
Kurti dënon sulmin
Albin Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy serbëve në komunën e Shtërpcës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe i njëjti ju ka dëshiruar shërim të shpejtë.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, ka përfunduar Kurti.
"E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim." - ka shkruar Kurti në Facebook.