Pjesëmarrja në paradën e LGBT zemëron përkrahësit: A mund ta ketë humbur Kurti shumicën në Kuvend? - NACIONALE

Pjesëmarrja në paradën e LGBT zemëron përkrahësit: A mund ta ketë humbur Kurti shumicën në Kuvend?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti doli për herë të parë në paradën e LGBTIQA+. Një lajm i mirë, i cili megjithatë duket se nuk po përjetohet kështu nga një pjesë e madhe e ‘xhematit’ të tij. Por, a ka Kurti më shumë liberalë apo konservatorë në partinë e tij?

“Ma n’fund dul, a? Ka herë të parë për gjithçka!” raportohet t’i ketë thënë Mimoza Kusari, ministrit Arben Vitia. Një reagim i tillë mund të jetë spontan – ashtu siç edhe duket – por në fakt në politikën tonë pak gjëra janë ashtu siç duken.

Kryeministri Kurti prej marsit të 2022-s vazhdon të mos jetë i zoti që të mbledh votat e mjaftueshme – as nga partia e tij – për të kaluar Projekt-Kodin Civil, ku ndodhet edhe neni mbi bashkësitë e regjistruara civile (bashkëjetesat) mes seksit të njëjtë.

Si të kalkuluar e aspak spontan veprimin e Kurtit e pa analisti Petrit Zogaj, që shkroi se e gjithë kjo ishte për të provokuar humbje të shumicës në Kuvend.

“Kurti me daljen në paradën e LGBTIQ paska provoku humbje të shumicës në kuvend dhe zgjedhje eventuale në kohën që ka presion mbi të. Përndryshe nuk kuptohet pse nuk ishte në dy vitet e kaluara në parada të ngjashme. Atëherë e kishte për oportunizëm, sot e ka po njëjtë.” – tha ai.

Projekt-Kodi Civil nuk e kishte marrë as gjysmën e mbështetjes nga deputetët e tij në marsin e vitit 2022, ndërsa është raportuar gjerësisht edhe në Nacionale se kishte qenë mes kritereve përzgjedhëse në zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes.

Eman Rrahmani, deputet konservator në VV, nuk shkroi asgjë. As Visar Korenica. Ndërkohë, Gazmend Agusholli do të tregohej paksa disfatist:

“Përgjithmonë familja!”shkroi me një status në Facebook. “Shnosh.” – përfundoi ai, si për të thënë se nuk do të bënin asgjë.

Kurti në FB

Kurti ia bëri sefte me postim për LGBT edhe në Facebook. Dhe bash dje e morëm vesh pse ai ka kalkuluar që ishte më mirë të mos postohej në këtë rrjet social, më popullorin në Kosovë.

Nga 2400 reagime deri tash, ora 10:37 e 11 qershorit, ai ka marrë mbi 1300 reagime me zemërim dhe as 1 mijë pëlqime.

“Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë.” - shkroi kryeministri i Kosovës në atë postim.

Kritikët e Kurtit

Agon Maliqi, një kritik i madh i Kurtit sa i përket çështjes së dialogut, e pa si lajm të mirë daljen e Kurtit në paradë.

“Mospajtimet e thella anash, lajm i mirë dalja e parë e Kurtit në paradën e krenarisë, si vazhdimësi e një standardi tashmë të vendosur prej prijësve të shtetit. Militanti mesatar përjeton kushllus të madh emocional, por një pjesë e vogël ndoshta edhe edukohet pak.”shkroi ai në Facebook.

A dëshiron të rrëzohet Kurti?

Disa kritikë tjerë të Kurtit kanë deklaruar se ai po kërkon që të rrëzohet duke u arratisur nga situata me partnerët e Kosovës të cilën e ka krijuar.

Por, cilat ishin votat e tij?

Vetëm 26 deputetë të VV-së do të votonin pro Projekt-Kodit Civil në marsin e 2022-s, përfshirë këtu edhe deputetët tashmë të larguar si Doarsa Kica-Xhelili, Haki Abazi e Vasfije Krasniqi.

Numri i përkrahësve kësisoji brenda legjislaturës aktuale del të jetë tepër i vogël.

Në atë seancë të vitit të kaluar, haptas kundër do të votonin këta deputetë të grupit parlamentar të VV-së: Labinotë Demi-Murtezi, Eman Rrahmani, Burim Karameta, Gramos Agusholli, Visar Korenica, Driton Hyseni, Fitim Haziri, Drita Millaku, Fjolla Ujkani, Ekrem Mustafa, Alban Bajrami, Halil Thaçi, Milazim Salijaj dhe Nijazi Isaku. Pra, 14 deputetë sosh.

Nëse numërojmë edhe deputetët që nuk morën pjesë në seancë dhe ata që abstenuan, atëherë numri i deputetëve që s'e mbështesin shkonte në 32. Pra, ndjeshëm më shumë se numri i deputetëve që e mbështesnin.

Deputeti më i zëshëm i këtij grupi konservatorësh ishte Eman Rrahmani. Megjithatë, deri tash nuk ka asnjë sinjal se grupi konservator i deputetëve është provokuar deri në atë masë sa të bashkohet me opozitën për rrëzimin e Kurtit.

A do të rrëzohej?

VV i kishte pasur 58 deputetë në fillim të mandatit. Por, numri tashmë ka rënë pas disa largimeve shumë të zhurmshme e publike që kanë ndodhur.

Është larguar Doarsa Kica-Xhelili për në LDK, është larguar Haki Abazi që u bë i pavarur ashtu si edhe Fatmir Humolli.

Nëse e marrim të mirëqenë se numri i kundërshtuesve të Kurtit është 14, dhe të cilët do ta bllokonin në çdo iniciativë pas kësaj dalje publike në mbështetje të LGBT, atëherë Kurti do të kishte vetëm 41 deputetë (duke numëruar edhe ata që kishin abstenuar) nga 55 të mbetur.

Një gjë e tillë mund të shtynte vetë Kurtin që t'i kërkonte Presidentes shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lajme të ngjashme