“Pika 2” – Krejt çka ndodhi në aksionin në Vërmicë, ku u arrestuan mbi 50 policë nga Kosova e Shqipëria
Mëngjesi i sotëm, njëjtë sikur ai i para gati një muaji, i gjeti hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës në aksion. Punën e kishin të njëjtë: të arrestojnë policë kufitarë të cilët dyshohet se janë përfshirë në dallavere me korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gazeta Nacionale ka raportuar gjatë gjithë ditës dhe sjell këtë përmbledhje të zhvillimeve.
26 zyrtarë policorë kufitarë të Kosovës, e më shumë se 30 të Shqipërisë. Ky është numri i policëve që u arrestuan në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë gjatë ditës së sotme. Dy vepra penale rëndojnë mbi të gjithë ata: marrja e ryshfetit dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare.
Por t’i shkojmë me radhë! Aksioni nisi në bashkëpunim ndërmjet IPK-së, Prokurorisë Speciale e Prokurorisë në Shqipëri. Dyshimet për korrupsion bënë që forca të shtuara të zbarkojnë në Vërmicë për të kryer arrestime.
Arrestimet në Kosovë
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se hetimet dhe masat e fshehta kanë nisur qysh një vit më parë.
“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë-kalimit kufitar në Vërmicë”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

“Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përfshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale. Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit “Pika 2” ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit””, ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.
Tashmë, IPK-ja ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtarëve policorë, të përfshirë në vepra të tilla penale.
“Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit” dhe “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar. Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar. Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore - AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë. Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në kuadër të këtij rasti në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Arrestimet në Shqipëri
Më shumë se 30 policë të tjerë janë arrestuar në Shqipëri, nën dyshimet për veprat e njëjta penale.
Ndaj tyre tashmë janë marrë edhe disa masa:
Masat e sigurimit personal janë:
‶Arrest në burg‶ për 17 persona (punonjës policie)
‶Arrest në shtëpi‶ për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie)
‶Pezullim nga detyra‶, 3 persona (punonjës policie)
“Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas”, bëhet e ditur në komunikatën e Prokurorisë së Shqipërisë.
“Pas një hetimi objektiv dhe të gjithanshëm, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 248, 259, 25 dhe 245/1 të Kodit Penal”, përfundon komunikata.
Ky aksion është vazhdim i aksionit “Pika 1” ku u arrestuan 48 zyrtarë policorë në pikë-kalimet Qafë-Morinë dhe Qafë-Prushë. Megjithatë, një pjesë e tyre tashmë janë liruar dhe gjatë procedurave do të mbrohen në liri.