Petkoviq: Vuçiq do të mbajë nesër fjalimin më të rëndësishëm për popullin serb - s'ka marrëveshje
Delegacioni i Republikës së Serbisë është larguar tashmë nga ndërtesa ku po mbaheshin takimet në Bruksel – ndërkohë që vetëm Petar Petkoviq ka folur për media.
Shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë pretendoi se “Serbia luftoi për të gjetur zgjidhje kompromisi” në një fjalë të shkurtër por dramatike para medieve.
Për më tepër, z. Petkoviq u shpreh se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të qëndronte “edhe për një kohë në Bruksel” dhe se sapo të kthehej në Beograd “do të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme për popullin serb nesër”.
"Ajo që ka rëndësi është se ne kemi luftuar për paqe, stabilitet, zgjidhje kompromisi...”, tha z. Petkoviq.
Ai u tha medieve se Vuçiq nuk do të fliste gjatë ditës së sotme fare.
Presidenti serb ka thirrur një takim edhe me serbët e Kosovës, pikërisht nga Brukseli.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan edhe një rund tjetër bisedimesh nën praninë e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, dhe të të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Edhe ky rund si duket përfundoi pa sukses.