Petkoviq reagon për shkarkimin e Ekipit Menagjues: Kjo çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe Dialogut
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka njoftuar sot se ka shkarkuar Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkimit të Komunave Serbe, dhe për këtë ka reaguar Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq.
Petkoviq tha se vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menagjues, i cili hartoi Statutin e Asociacionit dhe e prezantoi dje në Bruksel, është i njëanshëm dhe i paligjshëm, dhe se përfundimi i ekipit çon në shfuqizimin e Asociacionit.
Petkoviq thekson se Albin Kurti dhe ministrat në qeverinë e tij nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë- raporton Kosovo Online.
“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e Draft Statutit të Asociacionit, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në themelimin e Asociacionit”- tha Petkoviq.
Ai shtoi se sipas tij është e qartë për të gjithë se Kurti, me një vendim skandaloz, e ndërpreu procesin e formimit tw Asociacionit vetëm dhjetë orë pasi përfundimisht ishte inicuar zyrtarisht në dialog pas 10 vitesh.
“Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë në çdo mënyrë këtë obligim të rëndësishëm”- shtoi Petkoviq.
Ai I bëri thirrje BE-së që ‘’të ndalojë menjëherë paligjshmërinë e Kurtit’’.
“Me këto lëvizje të sforcuara, Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse heqja e Ekipit Menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit, dhe rrjedhimisht edhe heqjen e procesit të dialogut”- tha Petkoviq.