​Petkoviq për Asociacionin: Nuk do të jetë organizatë joqeveritare, marrëveshjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë - NACIONALE

​Petkoviq për Asociacionin: Nuk do të jetë organizatë joqeveritare, marrëveshjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i së ashtuquajturës zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq ka folur për Asociacionin, duke e cilësuar si “të vetmin mekanimëz për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Sipas Kosovo Online, Petkoviq ka theksuar se “Asociacioni nuk do të jetë kurrë organizatë qeveritare, por garantuese për serbët”.

“Asociacioni është korniza dhe garantuesi më konkret për ruajtjen e të drejtave kolektive dhe individuale, si dhe kompetencat ekzekutive të negociuara për serbët në Kosovë dhe Metohi në çështjet më të rëndësishme sociale, ekonomike, politike, kulturore, zhvillimore, ekonomike dhe të sigurisë,”- është shprehur Petkoviq.

Tutje, Petkoviq ka thënë se “të gjitha marrëveshjet për Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe kompetencat tashmë të vendosura të popullit serb në Kosovë, sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”

Ai më tej ka shtuar se këtë gjë Vuçiq ua ka thënë edhe ndërkombëtarëve.

“Pikërisht këtë e ka thënë qartë dhe pa mëdyshje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përballë zyrtarëve ndërkombëtarë disa herë, përfshirë takimin e fundit në Bruksel me liderët evropianë! Për ne Kushtetuta e Republikës së Serbisë është e shenjtë dhe Rezoluta 1244 është ende në fuqi në Kosovë,”- ka thënë tutje Petkoviq në deklaratën e tij.

Petkoviq e ka përfunduar deklaratën duke vlerësuar presidentin serb Vuçiq.

“Vuçiq nuk ka reaguar asnjëherë ndaj presioneve, pa marrë parasysh se nga cila anë kanë ardhur dhe sado të dhunshëm kanë qenë. Dhe ai do të vazhdojë të luftojë fuqishëm për interesat e popullit serb dhe për paqen në Kosovë,”- është shprehur Petkoviq.

Lajme të ngjashme