Hovenier i qartë: I keni dëgjuar Scholzin e Macronin, Asociacioni është urgjent
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë siguruar që draft statuti i ri i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, si dhe do të shqyrtohet edhe nga ky institucion.
Në një konferencë para gazetarëve, Hovenier u pyet edhe rreth asaj se pse po mbahet sekret draft statuti, gjë të cilën e arsyetoi si vijon:
“Nuk ka asgjë sekrete këtu, por negociatat diplomatike dhe ato sensitive, shumë shpejt bëhen me kushtine diskrecionit. Nëse ishte një marrëveshje në dialog, Rambuje, ka gjëra për të cilat publiku i di, nuk mendoj që dikush prej nesh duhet të kërkojë falje që ka konfidencialitet dhe sekret. Publiku me kohë do ta ketë mundësinë ta shohë draft statutin. Kjo vendoset me një kombinim të Qeverisë së Kosovës dhe Lajçakut”.
Urgjenca
Hovenier e konfirmoi edhe një herë se ka një urgjencë, një dëshirë që të lëvizet shpejt sa i përket Asociacionit, dhe se kjo tashmë mbetet në dorë të Qeverisë së Kosovës.
“Për afatin, nëse ju e lexoni komunikatën e kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres Italian, këta zyrtarë të lartë janë të përfshirë në process ta ndihmojnë Kosovën…ata përdorin gjuhë si urgjent, sa më shpejt, gjëra si këto, kështu që ka një urgjencë, ka një dëshirë për ta parë që të lëviz shpejt. Nuk ka arsye për Qeverinë e Kosovës që të mos lëviz përpara me këtë draft statut. Ne po punojmë që ta shohim këtë si një element që bëhet, nuk është vetëm rreth Asociacionit, është për të përmbushur të gjitha obligimet si nga Kosova dhe nga Serbia, marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit, këtë duam të shohim.” – u shpreh ai.
Ambasadori amerikan edhe një herë siguroi që me këtë Asociacion nuk do të ketë autonomi, derisa përsëriti se fillimisht do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Nuk duhet të jetë një shtresë tjetër e qeverisjes, autoritet ekzekutiv, nuk shoh se si mund të ketë autonomi këtu. Draft-statuti i prezantuar te Qeveria e Kosovës është në përputhje me Kushtetutën, dhe këtë mund ta vendosë edhe Kushtetutën. Dhe në draft statut, ka një dispozitë që siguron që shqyrtimi bëhet, dhe shqyrtimi do të bëhet para se të hyjë në fuqi.” – tha ai.
Në fund, Hovenier foli edhe mbi interpretimet që po bëhen në lidhje me këtë pikë të marrëveshjes, duke u shprehur:
“Fillimisht, shumë njerëz po interpretojnë një draft statut që s’e kanë parë, është një trik impresiv...Unë vetëm mund të them çfarë thash, ShBA beson fuqishëm që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
