Heqja e masave ndëshkuese dhe formimi i Asociacionit si kusht
Kosova ende po vazhdon të ketë masa ndëshkuese, e këto masa nuk dihet se kurrë do të largohen pavarësisht thirrjeve të udhëheqësve të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Por tashmë duket se kusht i ri për heqjen e masave është formimi i Asociacionit.
Kosova ka ende punë për të bërë në mënyrë që të hiqen masat (sanksionet) nga Bashkimi Evropian. Kështu thuhet në Raportin e Progresit që është miratuar nga Komisioni Evropian.
“Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për të de-përshkallëzuar, dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, BE-ja po zbaton një sërë masash përballë Kosovës, të cilat gjithashtu ndikojnë në mbështetjen financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë.” – thuhet në Raportin e Progresit.
“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit. Situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza me intensitet të ndryshëm për një sërë çështjesh, me një sulm të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, që përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit. Në kuadër të këtij sulmi u gjetën sasi të mëdha të armëve të vogla dhe të lehta (SALË). BE pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në raport më tutje.
Asociacioni si kusht
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se heqja e masave varet nga themelimi i Asociacionit.
Ai në konferencë për medie gjatë dorëzimit të Raportit të Progresit ka bërë këto koment.
“Masat janë implementuar bazuar në deklaratën e 27 vendeve anëtare. Ka qenë reagim ndaj zhvillimeve në fund të majit duke përfshirë sulmin kundër ushtarëve të KFOR-it. Kjo deklaratë është mjaft specifike se çfarë pritet nga Kosova. Pra, janë tri çështje; deeskalimi në veri; zgjedhjet e parakohshme; angazhimi në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit.” – ka thënë ai të mërkurën.
“Raporti po ashtu thotë se ne duhet të shohim më shumë hapa të tillë. Dhe shpresoj që hapat të ndërmerren sa më shpejt që është e mundur dhe që edhe masat të hiqen dhe që Kosova të mund të gëzojë potencialin jo vetëm nga mekanizmat ekzistues, por edhe nga Plani i ri i Rritjes.” – ka thënë ai.
Gjithashtu edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka përmendur draft-statutin e Asociacioni.
“Zbatimi i draftstatutit që Kosova e ka marrë për Asociacionin do të jetë një hap i madh përpara. Mendoj nëse e shikojmë Kosovën e Serbinë është më rëndësi për ne që secili është vend unik dhe të ec drejt BE-së dhe jo për tu lidhur me njëri tjetrin,”- ka thënë Von der Leyen.
Ndërkohë, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar që masat të largohen.
“Raporti i rëndësishëm i Komisionit të BE-së për #Kosovën thekson progresin në shumë fusha reformuese, përfshirë reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar. Komisioni gjithashtu ka konfirmuar se qytetarët e #Kosovës do të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së që nga 1 janari 2024!”
“Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të kaluara në #Dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, si dhe reformat e mëtejshme të #Sundit të Ligjit, përfshirë drejtësinë, janë kyçe për rrugën e Kosovës në BE. Më në fund, është koha që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës!” – ka shkruar ajo në “X”.
Important @EU_Commission report on #Kosovo highlights progress in many reform areas including the electoral reform and fight against organised crime.
— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺 (@ViolavonCramon) November 8, 2023
The Commission has also confirmed that citizens of #Kosovo 🇽🇰 will be travelling freely to the EU 🇪🇺 as of 1 January 2024!



