Intervistë | Molliqaj: Regjimi i Zajednicës me Kurtin realizues, Asociacioni do të përcaktojë të ardhmen e gjeneratave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “Kryeministër i regjimit të Zajednicës”, thotë Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili që nga viti i kaluar – prej tensioneve me targat e deri te zgjedhjet me konkludim të kryetarëve teknikë shqiptarë në zonat të banuara me shumicë serbe të instaluar me njësi speciale – mbarë politikbërjen e Kurtit në veri e kishte diagnostifikuar me një fjali të qendisur proverbialisht: “Tensione për Asociacion”.
Se Kurti do ta pranonte krijimin e këtij institucioni – me kundërshtimin e të cilës asobote opozitar kishte farkëtuar e ndërtuar personalitetin e tij politik – Molliqaj s’dyshonte fare: por, parashikonte “drama” në veri deri në jetësimin përfundimtar. Tash, ai edhe më i prerë në konstatime; thotë që Kurti është “realizues” i saj.
“Kryeministri performoi rezistentin gjatë procesit, për ta pranuar produktin e tij”, thotë Molliqaj në një intervistë me Nacionalen.
Për Molliqajn – që ka një pikturë krejt tjetër sa i përket internalitetit të mendimit politik të Kurtit dhe manovrave verbale të këtij të fundit se “nuk kemi më të bëjmë me Zajednicë” dhe frazimeve të tjera – është e qartë që është e kundërta.
“Nën argumentimin disi prej alkimisti që edhe asociacioni në duart e tij shndërrohet në diçka më të mirë, të kontrollueshme dhe të padëmshme. Ky është ves i pushteteve autoritare”, na thotë ai.
Pyetur se a ka mandat Kurti për të jetësuar këtë Asociacion, duke qenë fakt i pamohueshëm se i mungon mandati për këtë dhe se elektoralisht është ofertuar për krejt tjetër çka e në veçanti si ndaluesi i “Zajednicës”, Dardan Molliqaj thotë se “duhet zgjedhje” të reja në vend.
“Sepse çështja e Asociacionit përcakton të ardhmen e gjeneratave që do të jetojnë në Kosovë, por edhe rajon”.
Intervista e plotë me Dardan Molliqaj:
Nacionale: Ju e keni diagnostifikuar qëmoti përmes parullës “tension për Asociacion” një trajektore të ngjarjeve për të ardhur deri këtu – te një Statut i kësaj organizate të lidhjes horizontale të komunave të banuara me shumicë serbe. Ndonëse s’i dimë hollësitë, dimë atë që është dhënë në vija më të trasha. Ndërmjetësi na tha që Statuti “nuk i shkel vijat e kuqe të palëve”. Si e shihni ju këtë pashkelshmëri të vijave të kuqe: mes kushtetuetshmërisë dhe një organi pa pushtet publik (i ashtuquajturi draft-Vizion kroat për pakica me autor Kurtin) dhe një “Oblast”-i si ajo e 2 majit nga Danijella Vujicic e Ekipit Menaxhues (me autor Serbinë)?
Dardan Molliqaj: Siç po e shohim në vazhdimësi, vijat e kuqe po shtrohen që opinioni publik të merret me to, ndërsa në takimet e dialogut, ato fillojnë si kushte dhe bëhen pozicione fillestare, pastaj degradojnë në pozitën kryesore finale. “Tension për Asociacion” është një mënyrë si e kemi parë ne procesin e dialogut, që për fatin e keq u konfirmua në tërësi. Nën këtë dritë duhet parë edhe këto vijat e kuqe. Kryeministri përformoi rezistentin gjatë procesit, për ta pranuar produktin e tij. Dhe pastaj, debati rreth kushtetutshmërisë është në vazhdën e mjegullimit të opinionit.
Realisht Asociacioni nuk ka qenë problem kushtetutshmërie, në thelbin e saj, thënë dhe nga Gjykata Kushtetuese. Po dua të them që diskutimi rreth vijave të kuqe, modeleve të ndryshme, ligjit, etj., është disi lajthitje në temë, sepse po kapërcen debatin rreth asaj se çka i shkakton shoqërsië një konstalcion politik që ka etninë kriter në kushte ku Kosova dhe Serbia kanë probleme politike. Cilido model që balacon apo rehabiliton“vijat e kuqe” nuk përbënë zgjidhje. Duhet të mendojmë jashtë Asociacionit, sepse në të kundërtën “Zajednica” po bëhet regjim që sundon jetën tonë, si mënyrë e të menduarit për tjetrin (qytetarin serb dhe anasjelltas), ndërsa Kurti si kryeministër realizues, dhe prandaj edhe kryeministër i regjimit të Zajednicës.
Nacionale: Një term u shpik – jo për pak kënd i interpretuar thjesht si gjuhë (edhe ashtu e përsëritur) që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mund ta shesë marrëveshjen në audiencën e tij – njohja “de facto”. Me të marrë mandatin e dytë në qeverisje, Kurti ishte (ose së paku shfaqej) i palëkundur që “nuk jap gjë për njohje (fjalën e kishte për njohje de jure) nga Serbia, mund të jetojmë edhe pa të” (portali: European Ëestern Balkans, korrik 2021). Dhe kjo s’është qëndrim i tij prej opozitari, por 2 vjeçare e vjetër. Shpesh kontrasti është ngrerë me Kurtin para 10 viteve, por si ta kuptojmë këtë kontrast edhe më goditës 2 vjeçar. Çfarë besoni që ndodhi?
Dardan Molliqaj: Njohja nga Seria është e rëndësishme dhe peshën e saj nuk mund ta minimizojë apo zhvlerësojë askush, por jo çdo çmim është i pagueshëm për njohje. Kurti teksa tha “nuk jap gjë për njohje” në fakt po jep çdo gjë për pushtet të vetin. Nën argumentimin disi prej alkimisti që edhe asociacioni në duart e tij shndërrohet në diçka më të mirë, të kontrollueshme dhe të padëmshme. Ky është ves i pushteteve autoritare.
Nacionale: Nëse oferta zgjedhore (por edhe identiteti politik) ka qenë saktësisht e kundërta – që Asociacion assesi, as kësi, as asi; as me as pa autoritet ekzekutiv – pse besoni që zoti Kurti s’e dorëzon mandatin? Kur qartazi mandat për themelim të Asociacionit nuk ka, së paku jo pa u religjitimuar tash në personin politik të tij bashkë me komponentën e Asociacionit.
Dardan Molliqaj: Me ardhjen e këtij pushteti, ka ndodhur edhe një lloj depolitizimi i qytetarëve. Delegimi blanko i vullnetit paraqet rrezik. Duhet zgjedhje, sepse çështja e Asociacionit përcakton të ardhmen e gjeneratave që do të jetojnë në Kosovë, por edhe rajon. Mirëpo na duhet edhe një herë subjektivizim të qytetarit. Politizim. Organizim.
Nacionale: Çfare do të ishte tabloja politike në vend, të themi, pas themelimit Asociacionit dhe kësaj “njohjeje nga një derë e pasme, de fakto”?
Dardan Molliqaj: Nuk ka shumë vend për habi apo imagjinatë këtu. Tabloja politike duket se mbetët po kjo, sepse Asociacioni po themelohet disi nën premtimin që ky raport i forcave të ruhet kështu siç është. Pushteti i partisë VV po qëndron edhe me çmimin e formimit të “Zajednicës”, duke u bërë qëndrimi në pushtet qëllim në vetvete. Në vend se të përdorej ky pushtet enorm për ta propozuar një projekt të ri dialogu, po përdoret për të shpallur tradhtarë e për të luftuar kundërshtarë. Ndërsa opozita parlamentare mbetet brenda ombrellës dhe agjendës politike të këtij pushteti.
Ndërsa sa i përket njohjes de fakto nuk ka qenë as kërkesë në negociata. Këtë e tha edhe z. Borrell. Por e rëndësishmë është ta kujtojmë faktin që Serbia njeh Bosnjen edhe de jure madje, por realiteti politik dhe ai i shtetit të Bosnjes mbetet i rënduar me kërcënimin e vazhdueshëm për destabilizim. Por edhe ekonomikisht në ngecje për shkak të politikës.
Megjithatë, në politikë ka periudha të gjata, të heshtura, por ka ka edhe momente ndryshimi e kapërcimi, ndryshim dinamikash. Prandaj edhe paparashikueshmëri. Le të ndalemi e të mendojmë pak në këtë. Organizimi është i mundshëm, me tërë vështirësitë që ka sot. Mos ta harrojmë që askush nuk ka mundur ta parashikojë që nga një pushtet që ka titulluar veten të majtë do të sulmoheshin e shtypështin sindikatat e punëtorët.
Nacionale: Pasi jemi te “dyert e pasme”; ju e pritët ditëve të fundit në një aksion para dyerve të Kuvendit për t’ia risjellë në mend Kurtit veten e tij në raport me “Zajednicën” dhe ai shkoi kah një derë e pasme. A besoni se Kurti s’dëshiron të konfrontohet me veten e tij të kaluar, apo me juve personalisht si krejt ajo çfarë ka përfaqësuar ai në të kaluarën?
Dardan Molliqaj: Nuk janë dy: i kaluari dhe i tashmi. Është një dhe i pandryshueshëm. Figura e tij është nga brumi ideologjik ku çdo veprim që e bën është i lejueshëm në emër të bartjes të së vërtetës historike. Pra është dikush që na flet nga ajo lartësi dhe në kuadër të kësaj lejohet instrumentalizimi i njerëzve dhe kauzave, që në makinën përkthyese i bie: flijim, lavdi, sakrificë. Pra përligjet me vlera, për tu pajisur me pushtet.
Ai i iku konfrontimit ditën e aksionit, dhe përdori dyert e presidencës për shkak se në publik nuk dëshiron të duket vogëlisa e tij dhe mungesa e integritetit. E duke qenë ne aty, kontrasti dukej hapur. Dallimi me ne pra, jo me veten e tij. Fragmentimi i partisë që kishte, ku u cenua “e vërteta absolute”. Ajo është arsyeja e vrapit kah “dyert e pasme.