Petkoviq: Kurti po shkakton incidente për të shmangur formimin e Asociacionit
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviq, në një fjalim për media pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron paqe, dialog me Serbinë dhe formimin e Asociacionit, dhe për shkak të kësaj ai po shkakton incidente në mbarë Kosovën.
‘’ Është e qartë se me sjelljet provokuese dhe veprimet e dhunshme të Policisë së Kosovës, edhe Prishtina edhe Albin Kurti duan të kërcënojnë paqen dhe të nëpërkëmbin dialogun. Albin Kurti po mundohet të gjejë hapësirë për të shpëtuar nga Asociacioni i Komunave Serbe, prandaj i duhen krizat, sepse atëherë nuk ka dialog’’- u shpreh Petkoviq.
Ai tha se incidentet e dhunës ishin veçanërisht të theksuara në katër komuna të Kosovës, duke kujtuar të gjitha sulmet dhe arrestimet e serbëve në veri, si dhe arrestimin e fundit të Millovan Bozhoviqit, raporton Kosovo Online.
Petkoviq theksoi se është obligim i Prishtinës të formojë Asociacionin dhe se të gjitha marrëveshjet e mëparshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës i detyrojnë ta bëjnë këtë.
“Është e qartë se njerëzit nuk duan të flasin për asgjë, Kurti po kërkon një mënyrë për të shkaktuar incidente që do të shkaktonin një reagim të tepruar të serbëve, për të shmangur obligimet e tij,”- tha Petkoviq.
Ai ndër të tjera pretendoise Kurti i përdori targat për të provokuar komunitetin serb, edhe pse është rënë dakord që tabelat me afishe të jenë të vlefshme deri sa të arrihet një zgjidhje e përhershme.
Petkoviq theksoi se të gjitha këto incidente dhe sulme janë alarm për Bashkësinë ndërkombëtare dhe paralajmërim se duhet të reagojnë dhe të përfshihen në mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.
Ai deklaroi se nga ardhja e Kurtit në pushtet ka pasur 309 incidente.
Tutje ai konstatoi se Asociacioni është zgjidhja e vetme për të shpëtuar popullin serb në Kosovë.
