Përvjetori i Masakrës së Reçakut, Buja: U është ndaluar fjalimi përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta
Nesër shënohet përvjetori i masakrës së Reçakut, me ç’rast është organizuar mbajtja e homazheve, ku do të mbajnë fjalime krerët e shtetit, nisur nga presidentja Vjosa Osmani, kyeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.
Megjithatë, duket se një gjë e tillë, pra mbajtja e fjalimeve u është ndaluar përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta si dhe kryetarit të fshatit të Reçakut, Adem Ramadanit.
Kjo është bërë e ditur për Nacionalen nga ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, i cili tha se është njoftuar nga organizatat e dala nga lufta për problematikën e organizimit nën patronatin e Kryeministrit Kurti.
“Sot kam komunikuar me organizata të dala nga lufta të cilët më kanë njoftu për problematiken e organizimit nën patronatin e Kryeministrit Kurti, e problemet që i kanë në këtë organizim. Më kanë njoftuar se nuk po lejohet asnjë përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta me mbajt fjalën e aq më pak komandanti i zonës, po ashtu edhe kryetarit të fshati i është kërku që ta dërgojë fjalimin e tij në kryeministri, të cilin pastaj nuk e kanë leju që ta marrë fjalën,” – ka thënë Buja.
Tutje ai i ka thënë gazetës së këto veprime nuk janë njerëzore dhe se janë veprime të paimagjinueshme.
“ Të gjitha këto veprime së pari nuk janë as njerëzore e të mos flasim që janë nga institucioni shtetëror. Këto janë informacione që janë marrë nga shoqatat e dala nga lufta dhe qytetarët e Reçakut. Edhe ky është një veprim i paimagjinueshëm për kohën në shtetin e Kosovës, por ja që po ndodhin,” – ka përfunduar ai.
