Përurimet e çuditshme të Kurtit: Ura që nuk përdoret për asgjë dhe tavolina e ping-pong'ut - NACIONALE

Përurimet e çuditshme të Kurtit: Ura që nuk përdoret për asgjë dhe tavolina e ping-pong'ut

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Pothuajse në çdo ceremoni përurimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kujdeset të jetë i pranishëm, qoftë edhe në rastin e urës në Saradran të Istogut, e cila nuk mund të përdoret për asgjë.

Së fundi, kryeministri Kurti mori pjesë në inaugurimin e një parku dhe dhe këndi të lodrave në fshatin Gjurkoc të Shtimës.

Aty Kurti u shoqërua nga kryetari i Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu, ku u prezentuan pak lloje të lodrave dhe vetëm një tavolinë 'ping-pong-u', e cila u shfrytëzua për t'i shkrepur disa fotografi.

Nga fotot e postuara nga zoti kryetari Aliu në llogarinë e tij në Facebook, në hapësirën e inauguruar shihet vetëm një tavolinë ping-pong'u dhe pak lodra, ndonëse kostoja e projektit kapi e shifrën e 64 mijë e 871 eurove.

Qeveria Kurti e vitit 2022 mbetet ndër qeveritë me numrin më të vogël të projekteve kapitale.

Sipas raportit të buxhetit për periudhën janar – shtator 2022, qeveria Kurti ka realizuar vetëm 21 për qind e investimeve kapitale.

Hoti ka kritikuar vazhdimisht edhe mungesën e investimeve kapitale, duke thënë se kjo “po na kushton shtrenjtë”.

“Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim” - kishte thënë Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pasur kritika edhe rreth inaugurimit të punimeve të linjës 10-të hekurudhor përkatësisht segmentin Fushë Kosovë-Mitrovicë, duke thënë se po promovohen projekte të qeverisjeve të kaluara.

“Nuk mund të arsyetohen dy vite të qeverisjes duke promovuar projekte të qeverive të “regjimit të kaluar”, siç ishte rasti me promovimin e nisjes së punimeve në Linjën hekurudhore 10, segmenti Fushë Kosovë-Mitrovicë”.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti e cilësoi rehabilitimin e kësaj hekurudhe si pararendës të zhvillimit ekonomik.

Kurti mori pjesë edhe në inaugurime si ajo e një ure të vogël në Saradran të Istogut, të cilën banorët vendas ende nuk po e gëzojnë pasi përtej urës rruga është e pakalueshme dhe ka ende shumë punë.

Madje, Zyra e Kurtit ishte përkujdesur që në fotografi të shfaqet vetëm rruga e asfaltuar përtej urës, por jo edhe pjesa e tjetër e rrugës e cila mbetet e pashfrytëzueshme.

"Saradrani kalon. Urime banorëve! Porsa përuruam rrugën e asfaltuar "Lugu i Drinit" me gjatësi 2.1 km si dhe urën mbi lumin Drin, duke e lidhur kështu Saradranin me Ruhotin, përkatësisht komunën e Istogut me atë të Pejës. Faleminderit Ministrit tonë Elbert, Kryetarit të Komunës Ilir, punëtorëve të kompanisë "Shkëmbi" dhe banorëve të kësaj zone. Ta gëzojnë!" - ka shkruar Kurti në Facebook gjatë inaugurimit të urës e cila nuk të çon askund.

Kujtojmë që opozita dhe ekonomistët vazhdimisht e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për përformancë jo të mirë në fushën e ekonomisë.

Raporte si ai i Bankës Botërore dhe instituteve të pavarura si “GAP” tregojnë se realizimi i investimeve kapitale gjatë këtij viti është më i ulëti në dekadën e fundit.

Lajme të ngjashme