Pushteti dhe opozita përplasen për interesa të ngushta: Pesë marrëveshje ndërkombëtare drejt dështimit - NACIONALE

Pushteti dhe opozita përplasen për interesa të ngushta: Pesë marrëveshje ndërkombëtare drejt dështimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

As në seancën e sotme Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare. Kjo për faktin se partia në pushtet nuk i ka votat e nevojshme për miratimin e tyre, ndërsa një pjesë e opozitës ka vendosur kushte për votat e tyre pro këtyre marrëveshje.

Pengë e këtyre përplasjeve kanë mbetur pesë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat janë në rend të ditës nga muaji prill.

Kjo ka bërë që përfaqësuesit e Qeverisë dhe të opozitës të përplasen edhe në seancën e sotme parlamentare.

Në debatin për këto marrëveshje është përfshirë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili iu ka bërë thirrje opozitës për miratimin e tyre.

“Marrëveshjet ndërkombëtare që po presin miratimin në Kuvend janë 360 milionë euro. Ato nuk mund të votohen pas 2/3 e votave të deputetëve, pasi Kushtetuta e ka paraparë si masë parandaluese që qeveritë e papërgjegjshme mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të shtetit. Marrëveshjet që po presin nuk rrezikojnë financat e shtetit. Përkundrazi, nuk janë aq të dëmshme dhe nuk ka shkaktojnë paqëndrueshmi financiare. Kemi të bëjmë me projekte zhvillimore që janë aq të nevojshme për vendin tonë. Që marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve pajtohet edhe opozita”, ka thënë Kurti.

Ajo ka thënë se me këto veprime humbin vetëm qytetarët e Kosovës.

“Dhe megjithatë ata nuk po i votojnë. Cila është arsyeja? Të bllokohet Qeveria? E vërtetë që na bëni punën e vështirë dhe na bëni joserioz ndaj ndërkombëtarëve, por Qeveria mund ta vazhdojë mandatin edhe pa marrëveshjen ndërkombëtare. Por këtu humbin qytetarët sepse projektet nuk bëhen. Humbin kreditë e buta dhe grantët. Detyra e opozitës është se si mund të bëhet më mirë, jo ta bllokojë punën në kurrize të qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Ndaj kritikave të Kurtit ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai ka thënë kryeministrit nuk i takon të flet për gjendjen e punëtorëve e policëve, pasi partia e tij nuk e votoi rezolutën për shtesat e policëve.

“Qasja juaj s’ka qenë konstruktive që nga dita që e keni marrë mandatin. Kosova është e përjashtuar prej programeve të ndryshme financiare e ndihmuese të BE-së. Po i ki gati 500 milionë euro që i kemi votuar na si opozitë dhe krejt marrëveshjet ndërkombëtare. As me i implementu s’keni filluar. S’je ti me u brengos as për punëtorin as për askënd. Gojën plot për Policinë s’jeni në gjendje me miratu rezolutë që me ua dhanë shtesat policëve, pensionin e parakohshëm dhe sigurimet shëndetësore”, ka thënbë Krasniqi.

Ai ia ka përmendur faktin që VV-ja nuk e kishte votuar MSA-në.

“Ti je shembulli më i keq i opozitarit që ka pasur Kosova. As marrëveshjen për MSA se ke votuar”, është shprehur Krasniqi.

Kurse, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK-ja po voton marrëveshjet ndërkombëtare.

“Kryeministër ju e dini që GP i LDK-së po i voton marrëveshjet ndërkombëtare përveç njërës që jemi deklaruar. Vendi ynë deri më sot i ka 1.7 miliardë borxh shtetëror për projekte. Prej kësaj shume vetëm 19.4 për qind janë implementuar. Përmendët marrëveshje të dëmshme duke iu referuar asaj të 2013-ës dhe 2015-ës mirëpo ju sikurse i keni betonuar këto marrëveshje me marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë ajo.

Veprimet po i dëmtojnë interesat qytetare

Ndaj mosratifikimit të marrëveshje ndërkombëtare ka reaguar edhe shoqëria civile.

Drejtor i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se pozita dhe opozita po e zhvillojnë një betejë të panevojshme me marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo po shkon në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

“Dje opozita nuk i miratoi marreveshjet nderkombetare, sot pushteti ia kthej borxhin dhe nuk e diskutuan kerkesen per te drejtat e policeve te Kosoves. Lufte e pakompromis pushtet-opozite ne kurriz te qytetareve.”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.

Të njëjta kritika ka shprehur edhe drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se përplasjet për interesa partiake mes pushtetit dhe opozitës dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Pesë marrëveshje ndërkombëtare që janë sjellur për votim në seanca të Kuvendit po dështojnë të miratohen në Kuvend që nga prilli i këtij viti edhe pse kanë qenë pjesë e rendit të ditës në 28 seanca. Bëhet fjalë për Marrëveshje që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, për projekte si kredia për përmirësimin e rrjetit të transmetimit, kredia për rindërtim dhe zhvillim për projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, marrëveshja për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master dhe kredia për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në “Facebook”.

Në seancën e sotme ishte paraparë votimi i dy marrëveshjeve ndërkombëtare: Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”; dhe Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve.

Ndërsa në seancën e djeshme ishte paraparë shqyrtimi i tri marrëveshje tjera ndërkombëtare: Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin-Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit; Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”; dhe Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Lajme të ngjashme