Opozita nuk flet me një zë në Kuvend as në sesionin vjeshtor
As në sesionin vjeshtor tri partitë opozitare nuk po flasin me një zë në Kuvendin e Kosovës.
Pavarësisht thirrjeve për unifikim, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duket se të vetmuara do ta vazhdojnë “betejën” e tyre në raport me Qeverinë Kurti.
Derisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë vendosur kushte për t`i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, LDK-ja ka vendosur t`i voton këto marrëveshje.
Kështu ka ndodhur edhe në seancën e stome, ku ka dështuar miratimi i tri marrëveshje ndërkombëtare.
Shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti i voton marrëveshjet vetëm nëse partia në pushtet pajtohet për shpërbërjen e Kuvendit.
“Grupi Parlamentar i PDK-së sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare e ka qëndrimin e qartë për të gjithë projektligjet që vijnë këtu në Kuvend. Ne nuk votojmë dhe krejt çka kërkojmë dhe angazhohemi është që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve. Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që të dakordohemi kur ta çojmë vendin në zgjedhje, ta shpërbëjmë këtë legjislaturë jofunksionale jemi dakord që brenda asaj dite do t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Pra, atë ditë që ne dakordohemi që të shpërbëhet ky Parlament, të njëjtën ditë do t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Por, jo me këtë jonfunksionalitet që është duke vazhduar që një kohë të gjatë nuk ia vlen me shpenzimin e parasë publike”, ka thënë Tahiri.
Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se kjo parti nuk do të votojë asnjë nga marrëveshjet ndërkombëtare pa u plotësuar kërkesat e Policisë së Kosovës dhe pa u zgjidhur çështja e veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Para se me lexu këtë tekstin për me vazhdu votimin, po du me thanë edhe nja, unë e mbështes edhe një ide të deputetit Fatmir, Fatmir Humolli, e ka që kërkesat e policisë, zgjidhja e çështjes së veteranëve të plotësohen ose ne nuk votojmë as ligjet ndërkombtare, po jo veç ndërkombëtar po edhe bashkimin kombëtar që e ka propozu Mimoza Kusari s’e votoj pa u plotësuar qito kërkesa të policisë.”, ka thënë Berisha.
Ndryshe ka vepruar LDK-ja. Shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se LDK-ja vazhdimisht do t`i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Madje, ai ka kritikuar zyrtarët e qeverisë të cilët kanë fajësuar gjithë opozitën për mosvotimin e këtyre marrëveshjeve.
“Meqenëse në vazhdimësi kemi parë shpifje dhe të pavërteta nga Ministri I Financave që deklaron në ‘Facebook’ se LKDK-ja nuk po I voton marrëveshjet ndërkombëtare nuk është e vërtetë, sepse ne I kemi përkrahë përveç nja marrëveshje, të gjitha të tjerat. Poashtu të njëjtën gjë e ka bërë kryetari I Komisionit të Ekonomisë, duke mos e përmendur në mënyrë eksplicite LDK-në por duke e gjeneralizuar opozitën. Mendoj që është e padrejtë, e pasaktë dhe e paduhur dhe nuk I kontribuon konsensusit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Gashi.
Pushteti nervozohet
Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare ka nervozuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se një legjislaturë që nuk voton marrëveshjet ndërkombëtare, nuk meriton të ekzistojë.
“Veç me thënë të drejtën, unë si kryetar i Kuvendit mendoj që një Kuvend që nuk e ka kapacitetin e tij objektiv me i kalu marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ia vlen me ekzistu regjistraturë hiç”, ka deklaruar Konjufca.
Në seancën e sotme ishte paraparë shqyrtimi i tri marrëveshje ndërkombëtare.
Marrëveshja e parë që ishte paraparë të shqyrtohej ishte është Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin-Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.
Pastaj në rend të ditës ishte Projektligji nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.
Ndërsa, marrëveshja e tretë është Projektligji nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.
Edhe javën e kaluar ka dështuar përpjekja e Qeverisë për të miratuar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
