Përplasje, dorëheqje, reagime: Krejt llugë në RTK, çka ndodhi në 24 orët e fundit?
Zhvillimet në Radio Televizionin e Kosovës, pas publikimit të “lajmit” akuzues ndaj Nacionales dhe Periskopit, nuk kanë të ndalur. Dje kishte zhvillime interesante. Tashmë ka ardhur një dorëheqje, që lidhet pikërisht me “lajmin”. Po ashtu, redaktori i lajmeve, Jeton Musliu, që ishte redaktor natën kur u lëshua “lajmi” në edicionin qendron, e lëshoi një reagim publik.
Ndërsa kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka theksuar se është në kërkim të përgjegjësisë për lëshimin e bërë në RTK.
“Llugë” në RTK
Jeton Musliu, redaktor i lajmeve në RTK, lëshoi një reagim të gjatë, ku renditi disa çështje tepër problematike. Musliu tregoi për presionin e vazhdueshëm që e ushtron në RTK Rilind Gërvalla, drejtor i televizioni në RTK.
“Jo kolegë të RTK-së, por edhe mediave të tjera. Unë kam adresë. Distancohem nga veprimet, presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së. Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore.Më shpesh, hiq pa përfillur të dytën. Kur them presion, nuk bëhet vetëm me bërtima!” – ka shkruar ai.
Ndaj kësaj deklarate reagoi vetë Gërvalla, duke e quajtur “shpifës” Musliun.
"Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjeherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njejtën gjë” – deklaroi me shkrim Gërvalla për “Kallxo”.
Ndërsa në mbrëmje u njoftua se Zana Spahiu ka ofruar dorëheqjen nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Në mbrëmje i gjallë u bë edhe Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK-së, i cili tregoi se është krijuar komisioni ad-hoc për shqyrtimin e lajmit kontravers të transmetuar në RTK.
“Bordi nuk mund të marrë as edhe një veprim të vetëm pa pasur propozim. Në rastin konkret bordi nuk mund të ndërmarrë asgjë pa e kryer punën e vet komisioni që është emëruar tashmë.
Sa i përket pyetjes për dorëheqje, nga këndvështrimi im, në situata komplekse zgjidhja me e lehtë është dorëheqja, është zgjidhje e problemit në rrafshin personal. Por, në situatën ku jemi, prioritet imi është kërkimi rigoroz i përgjegjësisë për lëshimin që është bërë, jo ikja nga problemi dhe përgjegjësia.
Raportimet që bazohen vetëm në pretendime dhe të pabazuara është e papranueshme të kenë vend në RTK.
Pas adresimit të kësaj përgjegjësie deri në fund, te të gjithë personat e përfshirë, atëherë gjëja më e lehtë e mundshme është të shoh pozicionin tim” – ka shkruar Boletini në një përgjigje për media.
Për të lexuar më shumë nga ky sulm i RTK-së ndaj Nacionales, ftoheni të klikoni KËTU.