Përpjekje e kotë e Qeverisë, askush s`mund të garantojë për njohjen e pesë vendeve të BE-së - NACIONALE

Përpjekje e kotë e Qeverisë, askush s`mund të garantojë për njohjen e pesë vendeve të BE-së

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Mungesën e njohës reciproke në planin franko-gjerman, Kosova po mundohet ta kompenzojë me njohjen nga pesë vendet e BE-së. Në procesin e dialogut për këtë plan, Qeveria e Kosovës po kërkon garancione nga ndërmjetësit për këto njohje. Pavarësisht përpjekjeve, një gjë e tillë duket e shumë vështirë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtarë kanë bërë me dije se askush nuk mund të sigurojë Kosovën për këto njohje.

Ata kanë vlerësuar se këto vende janë të pavarur në politiken e tyre të jashtme dhe vendosin vetë se kur do ta njohin Republikën e Kosovës.

Politologu Avdi Smajljaj ka thënë për gazetën Nacionale se faktorët që ndikojnë të këto shtete në mosnjohjen e Kosovës janë të ndryshëm.

"Plani franko-gjerman duket se është hartuar larg opinionit, gjë që për momentin ka shumë të panjohura për në këtë plan, edhe ai proces edhe përmbajtje. E njëjta mund të thuhet sa i përket garancive për njohjen nga pesë shtete. Nëse ky plan nuk ka pasur një dakordim paraprak me këto shtete, atëherë nuk duhet pritur se këto njohje mund të vijnë automatikisht me pranimin e planit. Faktorët që ndikojnë të këto shtete për mos njohjen e shtetit te Kosovës janë të ndryshme të këto shtete", ka thënë Smajljaj.

Sipas tij, sigurimi i njohjeve nga këto shtete nuk do të jetë i lehtë.

"Megjithatë, ajo qe duket se është faktor i përbashkët është marrëdhëniet e tyre me Serbinë, gjë që nënkupton nevojën e njohjes reciproke paraprakisht Kosove-Serbi, si e nevojshme për njohjen pastaj nga këto shtete. Nga ajo që është bërë publike deri tani, plani nuk e ka. Nëse nuk ka dakordim paraprak nga ana e BE me këto shtete, atëherë sigurimi i këtyre njohjeve nga te gjitha 5 shtetet nuk do të jetë i lehtë, i drejtpërdrejtë, siç po pretendohet, sidomos nëse njohja mund te ketë ndikim në zhvillimet e tyre politike të brendshme. Për më tepër kjo do të varet edhe nga ajo se kush është në pushtet në këto vende", ka thënë ai.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtarë, Dritëro Arifi, ka thënë se Kosova duhet të insistoj, por garanci për këto njohje nuk mund të jep askush.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se shtete në politiken e jashtme janë të pavarur.

"Sa i përket kërkimit të garancisë është me rëndësi që Kosova e ka kërkuar një gjë të tillë edhe pse është vështirë të garantohet kjo, sepse shtet janë të pavarura në politiken e jashtme, sidomos në marrjen e vendimeve për njohje apo jo të shteteve, apo me zhvillimin e marrëveshjeve bilaterale. Por kjo duhet parë në një kontekst më të gjerë. Nëse plani evropian propozohet nga vendet më të fuqishme të BE-së dhe ShBA-ja, normalisht se në fund të procesit edhe këto vendet tjera të BE do ta njohin Kosovën, sepse kjo është rruga e BE për zgjidhjen e problemit në Ballkanin Perëndimor", ka thënë ai.

As Gjermania nuk jep garancione

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të japë garanci ligjore se pesë vendet që s'e njohin shtetin kosovar, do ta bëjnë një gjë të tillë.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin, Rohde ka thënë se kjo as nuk mund të kërkohet nga BE-ja.

Është e qartë se nuk mund të kërkosh garancion ligjor që BE-ja nuk mund ta jap, se çka është e mundur dhe kjo është diçka e dhënë dhe në njëfarë mënyre e mbështesim plotësisht pavarësinë…”, ka thënë ai.

Edhe gazetari gjerman Michael Martens ka thënë se Kosova ka vënë këtë kshet BE-së për të pranuar planin franko-gjerman.

Në opinionin e tij të botuar në FAZ, ai ka shkruar se Kosova ka kërkuar që këto njohje të përfshihen në marrëveshje.

Me sa duket, Kurti u ka vënë një parakusht ndërmjetësuesve perëndimorë: Në mënyrë që të pranohet propozimi i tyre për zgjidhje, ai ka nevojë për garanci që pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë këtë. Kjo duhet të përfshihet në planin për zgjidhje", ka shkrua ai.

Partneriteti për Paqe, garancia e vetme

Për ta bindur Kosovën që ta pranojë këtë propozim pa njohje, aleatët perëndimorë kanë menduar edhe për “karotat” që do t`i jepen Kosovës.

Një burim i mirë informuar brenda një ambasade perëndimore në Kosovë thënë për gazetën Nacionale se SHBA-ja i ka premtuar Kurtit se pranimi i këtij plani do të ia hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë ku nuk është anëtare Rusia.

Shpërblimi i parë do të jetë anëtarësimi në Partneritetit për Paqe, ku vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën nuk do ta përdornin veton për anëtarësimin e Kosovës.

Më pas, Kosovës do t`i hapet rruga edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Nëse pranohet plani franko-gjerman, Kosova ka marr garanca nga SHBA-ja se do të anëtarësohet në tëgjitha mekanizmat ndërkombëtar ku nuk është Rusia anëtare. Anëtaresimi në Partneriteti për Paqe është hapi i parë. Pastaj është premtuar edhe përkrahja për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm”, ka thënë burimi.

I njëjti burim ka bërë me dije se Kosovës ia janë bërë të qartë edhe pasojat nëse refuzon këtë plan.

Kundërshtimi i këtij plani mund t`i kushtojë Kosovës në procesin e anëtarësimit në KiE-së dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Nëse nuk e pranon, Kosova mund të këtë pasoja. Kjo mund të jetë pengesë e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe në procesin për liberalizim të vizave” ka thënë burimi.

Pas vizitës në Prishtinë dhe Beograd, emisari BE-së për dialogun Kosovë Serbie, Miroslav Lajçak, është takuar me përfaqësuesit e pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, duke i informuar me rrjedhën e procesit.

Lajme të ngjashme