Partneriteti për Paqe shpërblimi i parë i ShBA-së për Kurtin nëse i thotë PO planit evropian - NACIONALE

Partneriteti për Paqe shpërblimi i parë i ShBA-së për Kurtin nëse i thotë PO planit evropian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Plani franko-gjerman duket se nuk do të përfshijë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për ta bindur Kosovën që ta pranojë këtë propozim pa njohje, aleatët perëndimorë kanë menduar edhe për “karotat” që do t`i jepen Kosovës.

Një burim i mirë informuar brenda një ambasade perëndimore në Kosovë thënë për gazetën Nacionale se SHBA-ja i ka premtuar Kurtit se pranimi i këtij plani do të ia hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë ku nuk është anëtare Rusia.

Shpërblimi i parë do të jetë anëtarësimi në Partneritetit për Paqe, ku vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën nuk do ta përdornin veton për anëtarësimin e Kosovës.

Më pas, Kosovës do t`i hapet rruga edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Nëse pranohet plani franko-gjerman, Kosova ka marr garanca nga SHBA-ja se do të anëtarësohet në tëgjitha mekanizmat ndërkombëtar ku nuk është Rusia anëtare. Anëtaresimi në Partneriteti për Paqe është hapi i parë. Pastaj është premtuar edhe përkrahja për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm”, ka thënë burimi.

I njëjti burim ka bërë me dije se Kosovës ia janë bërë të qartë edhe pasojat nëse refuzon këtë plan.

Kundërshtimi i këtij plani mund t`i kushtojë Kosovës në procesin e anëtarësimit në KiE-së dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

“Nëse nuk e pranon, Kosova mund të këtë pasoja. Kjo mund të jetë pengesë e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe në procesin për liberalizim të vizave” ka thënë burimi.

Edhe njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se qasja e re perëndimore në dialogun Kosovë – Serbi, përveç “karotave”, i përfshin edhe “shkopinjtë” apo ndëshkimet.

Kohë më parë, politologu Agon Maliqi ka thënë për gazetën Nacionale se mekanizmat disiplinues të BE-së mund të zbatohen ndaj Kosovës dhe Serbisë, nëse ato nuk tregohen konstruktive.

“Gjithsesi, mendoj se, përveç karotave dhe shtysave, një pjesë e rëndësishme e ‘qasjes së re perëndimore’ janë edhe ‘shkopinjtë’ apo ndëshkimet, pra mekanizmat disiplinues”, kishte thënë ai, duke përmendur e dhe proceset tjera që mund të ndikohen nga pranimi ose mospranimi i planit.

“Ne rrezikojmë të ndëshkohemi së paku me mosliberalizim të vizave dhe me mungesë të mbështetjes për hyrje në Këshillin e Evropës”, është shprehur Maliqi.

Pranimi në Partneritetin për Paq do t`i hapte rrugën Kosovës për anëtarësim në NATO.

Vitin e kaluar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kishte shprehur shqetësimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Ide e lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe Amerika, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, që janë anëtare të Aleancës [së NATO-s] dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”, kishte thënë Vuçiqi.

Kosova kërkon garanci edhe për njohjen e pesë vendeve të BE-së

Në mungesë të njohjes reciproke, Kosova po kërkon edhe më shumë nga ShBA-ja dhe BE-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ndërmjetësit që në pranimin e planit franko-gjerman të përfshihet edhe njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Këtë e ka konfirmuar edhe gazetari gjerman, Michael Martens.

Në opinionin e tij të botuar në FAZ, ai ka shkruar se Kosova ka kërkuar që këto njohje të përfshihen në marrëveshje.

"Me sa duket, Kurti u ka vënë një parakusht ndërmjetësuesve perëndimorë: Në mënyrë që të pranohet propozimi i tyre për zgjidhje, ai ka nevojë për garanci që pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë këtë. Kjo duhet të përfshihet në planin për zgjidhje", ka shkruar Martens.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova provon ta fillojë rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.

Në vitin 2012, Kosova kishte tentuar të vendosë marrëdhëniet e para zyrtare me NATO-n, duke aplikuar për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por për shkak të mosnjohjes nga katër vendet anëtare, kishte dështuar.

Po ashtu, në vitin 2016, Kosova ka pasur një kërkesë zyrtare për të forcuar lidhjet me NATO-n, duke aplikuar për 'bashkëveprim të zgjeruar', por sërish ishte Spanja ajo që kishte dalë kundër kësaj kërkese.

Lajme të ngjashme