Përmbushet faza e parë për largimin e katër kryetarëve shqiptarë në veri, serbët mbledhin 20% të nënshkrimeve - NACIONALE

Përmbushet faza e parë për largimin e katër kryetarëve shqiptarë në veri, serbët mbledhin 20% të nënshkrimeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndaj katër kryetarëve shqiptarë të zgjedhur legalisht (ndonëse me legjitimitet tejet të pakët) në komunat veriore të banuara me shumicë serbe tashmë veçse është përmbushur faza e parë – në bazë të Udhëzuesit Administrativ – për inicimin e shkarkimit të tyre.

Elektorati lokal në ato komuna – rreth 20% e tyre – kanë vendosur firmat e tyre në peticionet e nisura nga grupet nismëtare ditëve të fundit; për çka tash pritet që ato peticione të dërgohen në Komisionin Qendror Zgjedhor për të proceduar më tutje deri në hapejn e votimit për shkarkim përfundimtar.

Në Mitrovicë të Veriut ndaj Erden Atiqit u mblodhën fare shpejtë mbi 3 mijë e 600 nënshkrime sa kërkoheshin, njoftoi ditë më parë Sanja Krstiq për mediat serbe; numër ky që përbën rreth 20% të votuesve të regjistruar në atë komunë, përkatësisht 18 mijë e 199.

Edhe për Lulzim Hetemin në Leposaviq janë grumbulluar mbi 20% e nënshkruesve të peticionit, ka njoftuar dje për “Kosovo-Online” një nga nismëtarët me emër Veselin Radoviq. “Nga e hëna do t’i kemi të gjitha rezultatet e sakta dhe ta kryejmë peticionin”, ka thënë ai.

Në Leposaviq janë të regjistruar si votues rreth 13 mijë e 441 persona, çka i bie se në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm duhet rreth 2 mijë e 700 persona të kenë nënshkruar, gjë që, sipas Radoviq, “është tejkaluar”.

Ndërkaq në Zubin Potok, Srxhan Vuçiniq, nismëtar i peticionit ka thënë dje për Kosovo-Online se janë mbledhur votat e nevojshme për shkarkim të Izmir Zeqirit; dhe se po shihet të tejkalohen 1 mijë e 300 nënshkrime sa janë të nevojshme që peticioni të kalojë suksesshëm.

Në Zveçan inicuesi Darko Vuksanoviq njoftoi se deri në orën 4 të pasdites së shtunës kanë mbledhur nënshrkimet e nevojshme për shkarkim të Ilir Pecit. “Mblodhëm më shumë nënshkrime se ç’duhej”, ka njoftuar Vuksanoviç.

Ndërkaq të hënën e 22 janarit do të përfundonte afati për finalizimin e peticionit; dhe për të kaluar në fazat e mëtejme ku KQZ e konfirmon ose jo validitetin e peticionit; dhe ku më pas iniciohet votimi për shkarkim të kryetarëve.

Për t’u shkarkuar kryetarët duhet 50% plus një votë nga elektorati lokal i regjistruar; dhe ku më pastaj, pas suksesit të kësaj faze, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në ato zona për kryetarë dhe kuvende komunale.

Kujtojmë se një nga kushtet për heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian është saktësisht largimi i kryetarëve me legjitimitetim minimal (me vetëm 3% të pjesëmarrjes në zgjedhje) ndonëse e frazojnë ndryshe si “duhet të ndërmerren veprime të mëtejme shtensionuese” që nëse përkthehet tej-diplomacisë, praktikisht, i bie: të mos ketë qëndrim të mëtejmë tensionues të kryetarëve në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohëve të fundit në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” tha se “nuk dua kryetarë shqiptarë në veri” por se as “nuk mund t’i shkarkojë” për serbët; ngase këta të fundit “duhet ta bëjnë këtë vet”.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditëve të fundit u deklarua rreth nismës për largim të kryetarëve, për çka tha se “është e drejtë që u takon” banorëve lokalë

Sot ka nisë peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë procedurë të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ, është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore. Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, u shpreh Osmani.

Lajme të ngjashme