Përkundër taksës, kosovarët mbesin turistët kryesorë në Shqipëri - mbi 3 milionë në vitin 2022
Shqipëria është njëra ndër portat kryesore të turistëve, që në çdo stinë e vizitojnë këtë vend. Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.543.817, duke u rritur me 32,6%, në krahasim me vitin 2021.
Për kosovarët ndërkaq, Shqipëria vazhdon të jetë pika parësore ku qytetarët e frekuentojnë shumë, kuptohet për qëllime turistike, e në veçanti pushimet verore.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga INSTAT, për periudhën janar-nëntor 2022, qytetarët nga Kosova regjistruan shifrën mbi 3 milionë, me një rritje prej 20% në raport me 2021.
Në vendin e dytë dhe të tretë pozicionohen Maqedonia e Veriut dhe Italia me rritje 19% dhe 74%, që kthyer në numër është 631 mijë dhe 561 mijë hyrje të shtetasve nga vendet e lartëcekura.
Çmimet
Ishte vetëm muaji maj, kur pushues nga Shqipëria e ata nga Kosova kishin filluar pushimet e tyre, ani pse moti nuk shënonte temperatura edhe aq të larta.
Në atë kohë ishte raportuar për një rritje të ndjeshme të çmimeve, edhe pse ishin në prag të sezonit turistik.
“Shumë shtrenjtë”, “Në Vlorë çadra po kushton 20 euro”, “Në Durrës e Shëngjin ishin shtrenjtuar krejt senet”, ishin disa nga ankesat që kosovarët i shprehën në media, duke treguar që çmimet tashmi ishin fryer.
Por, rritja e çmimeve, nuk kishte zbehur dashurinë e qytetarëve të Kosovës për Durrësin, Shëngjinin, Vlorën e Sarandën.
Gjithashtu, kosovarëve dashurinë për Shqipërinë nuk ua zbehu as taksa për të kaluar në Rrugën e Kombit.
Kjo taksë ishte cilësuar si e dëmshme për qytetarët dhe për bizneset. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, pas shumë ankesash që kishte pranuar për këtë çështje, kishte vendosur që arsyetimin ta bëjë në rrjetet sociale dhe atë përmes një komenti në rrjetin social "Facebook".
Ai ia ktheu përgjigjen një qytetari, duke i thënë se është taksë që paguhet kudo në rajon për të mbuluar shpenzimet jo të vogla të mirëmbajtjes.
“Nuk ka pagesë 10 euro Albi, është 5 euro, çmim që paguhet kudo në rajon dhe kontribut që shkon për mirëmbajtjen e rrugës, e cila u ndërtua pjesërisht (ndërkohë që kompania do të përfundojë edhe ndërtimin) dhe mbeti në mëshirë të fatit nga pamundësia e mirëmbajtjes që ka një kosto jo të vogël!”, kishte shkuar Rama.
Kujtojmë se pagesa për kalim në Rrugën e Kombit, për vetura është 5 euro dhe autobusë 10 euro për një drejtim. E pagesa për mjetet e tjera për transport të mallrave do të jetë më e lartë.
Para fillimit të sezonit të verës, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, kishte thënë se pushuesit nga Kosova përbëjnë mbi 50% të numrit të turistëve në Shqipëri.
“Theksoj që Kosova është frekuentuesi kryesor i turizmit shqiptar. Mbi 50 për qind e turistëve vijnë nga Kosova edhe nga Maqedonia dhe për ne është shumë e rëndësishme që të krijohet një hapësirë sa më e mirë, një ambient sa më të këndshëm, në mënyrë që njerëzit të ndjehen komod në atdheun e tyre. Besoj që sivjet turizmi ka filluar më shpejt dhe ritmet e rritjes janë më të avancuara sesa në vitin e kaluar.” – kishte thënë ai.
Vizitorët nga Kosova në Shqipëri janë cilësuar si “shpëtues” të turizmit në vitin 2021, ku 2.6 milionë kosovarë kishin kaluar matanë kufirit shqiptaro-shqiptar.
Dhe kjo, ishte gati dyfish më shumë se në vitin 2020, kur numri i tyre ishte ndjeshëm më i ulët si pasojë e masave kufizuese për shkak të Covid.
Pesha e turizmit u rrit duke kapërcyer edhe nivelet e vitit 2019.


