Përkundër premtimeve, sërish reduktime - s'ka rrymë në disa lokacione të Komunës së Rahovecit e atë të Malishevës
Përkundër premtimeve se nuk do të ketë reduktime të rrymës në mbrëmjen e ndërrimit të motmoteve, nuk po ndodh ashtu.
Nga reagimet që kemi parë në rrjetet sociale mësohet se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe në Komunën e Malishevës.
Ishte fillimisht asamblisti i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Sejfullah Sejfullahu, që përmes një postimi konfirmoi se në fshatin e tij nuk ka rrymë.
"Rrymë s'kemi në Krushë. Nuk e thash rastësisht pak më parë: vit si 2022 as hasmi mos pastë", vazhdoi Sejfullahu me ironi.
Në anën tjetër, poeti me perspektivë dhe njëri prej mësuesve në Malishevë, Flamur Foniqi tha se edhe vendlindja e tij po përballet me "terrin".
Madje, si zakonisht ai sërish, përmes letërsisë, shprehu indinjatën me atë çka po ndodh në ditën e fundit të vitit.
"Në Malishevë më së miri jetësohet ajo shprehja e Bukowskit: Do të doja një dhjetor me drita të fikura dhe me njerëz që ndriçojnë".
