Përjashtimi i Haki Abazit: Kusari qeshet me deputetin që 'zuri ulësen', Zyba ende ‘truproje’
Haki Abazi është përjashtuar dje nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, pasi pretendoi paraprakisht se ishte inskenuar një përplasje fizike nga ana e Albin Kurtit dhe Mimoza Kusarit. Por, sot seanca e Kuvendit vazhdoi dhe Abazi mori ulësen e re.
Nga fotografitë e shkrepura nga Kuvendi i Kosovës prej Visar Kadrollit nga Nacionale vërehet që ka pasur një vëmendje të shtuar te ish-ulësja e z. Abazi.

Aty përsëri u ul deputeti Besim Muzaqi, i përcjellur nga deputeti Salih Zyba që vazhdoi t’i zinte ulësen deputetit Ardian Gola.
Në një moment, te ulëset e Muzaqit dhe Zybës që dikur ishin të Abazit dhe Golës u afrua edhe shefja Mimoza Kusari që pati në fytyrë një buzëqeshje ngadhënjimtare.


Deputet Haki Abazi në anën tjetër kishte zënë ulësen në fund, afër deputetit Fatmir Humolli që po ashtu është larguar nga GP i Vetëvendosjes. Të dy, shihen duke komunikuar me njëri-tjetrin por me shumë gjasë jo për të njëjtat gjëra që po diskutonin Zyba e Muzaqi.


Qysh ndodhi momenti kritik?
Deputeti Haki Abazi ka deklaruar që incidenti i djeshëm kishte ndodhur “me urdhër të Kurtit” i cili kishte pasur tendencë ta përplaste fizikisht me Salih Zybën.
Nacionale ka vërejtur nga pamjet e Kuvendit mënyrën se si zhvillohet kjo ngjarje. Deputeti Abazi dje kërkoi sërish që të ulej te ulësja e tij dhe ia del për një moment, por pranë vetes ka Salih Zybën që i kishte zënë vendin Ardian Golës.

Pas gjithë kësaj ngjarjeje, GP i VV-së vendosi ta përjashtonte Abazin.
Nuk dihet nëse ai është përjashtuar edhe nga partia. Haki Abazi kishte qenë madje edhe zv. kryeministër i Kosovës në Qeverinë Kurti I. Ndërkohë, deri vonë e ka ushtruar pozitën e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
