“Përhajr Zajednica”: Qysh reagoi Besnik Bislimi kur u sulmua me ëmbëlsirë e “milkshake” nga PSD-ja? - NACIONALE

“Përhajr Zajednica”: Qysh reagoi Besnik Bislimi kur u sulmua me ëmbëlsirë e “milkshake” nga PSD-ja?

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi që paralajmëronte largimin e tij nga procesi i dialogut në rast të formimit të çfarëdo Asociacioni, është sulmuar sot me ëmbëlsirë dhe “milkshake" nga aktivistët e Partisë Sociakdemokrate. Çka ndodhi dhe si reagoi?

Një video që po qarkullon nëpër rrjete sociale e tregon zv.kryeministrin Bislimi duke u sulmuar nga disa aktivistë, krejt kjo pas takimit të 27 shkurtit ku u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, mes tjerash edhe për vetëmenaxhimin për komunitetin serb në vendin tonë.

Bislimit po i kërkohet dorëheqja, ndërkaq sipas pamjeve të publikuara, ai duket tejet i habitur në lidhje me këtë aksion të partisë që ka paralajmëruar edhe protesta kundër Asociaconit.

Si reagoi?

Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta e cila po ashtu ndodhej në vendin e ngjarjes dhe ishte pjesëmarrëse në aksion, ka thënë se z.Bislimi nuk do të japë dorëheqje pa presion.

“Siç tashmë është vërtetuar, Bislimi nuk ka kredo për të dhënë dorëheqje. Nuk jep, pa presion. Ne besojmë që presioni dhe rezistenca opozitare qytetare duhet ta detyrojë shkarkimin e tij dhe dorëheqjen jolegjitime të qeverisë.” – i ka thënë ajo Nacionales.

Tutje znj.Rrusta e kemi pyetur edhe rreth reagimit të zëvendëskryeministrit në lidhje me këtë aksion e cila u shpreh si vijon: “Reagimi i tij ishte prej një burokrati të ftohtë që merr vendime të dëmshme për shoqërinë dhe nuk i bëhet vonë. Kaq per reagimin e tij”.

Nacionale e ka kontaktuar edhe zëvendëskryeministrin Bislimi në lidhje me këto zhvillime, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij teksti.

Ndërkohë, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj në rrjetin social Facebook ku edhe i shpërndau pamjet, tha se qytetarët e Kosovës do ta kundërshtojnë “Zajednicën”.

“Tortë e milkshake për "Zajednicën". E gëzofshin këta që e pranuan! Kurse ne, qytetarët e Kosovës, do ta kundërshtojmë atë e të kërkojmë masivisht dorëheqjen e tyre.” – ka shkruar ai.

Zv.kryeministri që paralajmëronte largim nga dialogu

Të shtunën pak para mesnate, pas një takimi që zgjati shumë orë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti doli para mediave, ku mes tjerash, pranoi se janë pajtuar që të nisin me urgjencë bisedimet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb.

“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat që flet për një nivel të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Dhe në këtë mënyrë ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta... duhet të mos harrojmë se propozimi i presidentit Ahtisaari iu ka krijuar mundësi që edhe t’i kërkojnë të drejtat edhe t’i realizojnë liritë e tyre...” – deklaroi ai.

Vetëmenaxhimi, në opinion publik po interpretohet si një fjalë e re për Asociacionin, marrëveshjen që kryeministri e kundërshtoi shumë.

Ndërkohë, derisa z.Kurti po fliste, prapa tij ndodhej zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili dukej mjaft i tensionuar, ndonëse nuk e tha ndonjë fjalë rreth takimit.

Megjithatë, ai kishte folur më herët rreth Asociacionit, dhe madje kishte thënë disa fjalë që kishin tërhequr shumë vëmendje.

Numri dy i Qeverisë Kurti kishte paralajmëruar largimin e tij nga procesi i dialogut, në rast të formimit të “ndonjë Asociacioni”.

“Në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacion, edhe thotë, do të krijohet Asociacion, qoftë edhe me kompetenca joekzekutive, Besnik Beslimi nuk është më në dialog, ndoshta dikush tjetër vjen e bën. – kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme