“Përgjigjja sekrete”: As KFOR-i e as Serbia nuk e publikojnë përgjigjen për kthimin e ushtarëve në Kosovë - NACIONALE

“Përgjigjja sekrete”: As KFOR-i e as Serbia nuk e publikojnë përgjigjen për kthimin e ushtarëve në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas disa javë pritjesh, KFOR-i ka kthyer përgjigje Serbisë në kërkesën për kthimin e 1000 ushtarëve serbë në Kosovë, pas tensioneve të fundit në veri. Dje në mbrëmje, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se KFOR-i është përgjigjur në kërkesën e tyre. Ndërsa sot në mëngjes, KFOR-i ia konfirmoi gazetës Nacionale se tashmë Serbia e ka përgjigjen rreth kthimit të ushtrisë në Kosovë.

Por cila është përgjigja e KFOR-it? Kjo është një pyetje përgjigja e sëcilës peshon plot 1 milion dollarë (ose euro). Deri tani nuk dihet përmbajtja e përgjigjës, pasi as KFOR-i e as institucionet e Serbisë nuk kanë treguar publikisht se cila është përgjigja. Pra është një përgjigje sekrete, së paku për publikun kosovar, pas përveç KFOR-it e Serbisë, nuk dihet kush tjetër ka informacion për përmbajtjen.

KFOR-i nuk ka dhënë ndonjë informacion shtesë, përveç konfirmimit se tashmë përgjigja është dërguar tek pala serbe. Tutje, në përgjigjen e tyre për Nacionalen, KFOR-i ka rithkesuar se është i përkushtuar në misionin e tij.

“Ne mund të konfirmojmë se përgjigjja e komandantit të KFOR-it ndaj kërkesës serbe është përçuar, por ne nuk hyjmë në hollësi të korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet vigjilent dhe plotësisht i gatshëm për përmbushjen e mandatit të vet nga OKB-ja.” – deklaroi KFOR-i.

Për këtë çështje ka folur edhe Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës, duke e komentuar gjithë situatën e krijuar dhe përgjigjen që KFOR-i i ka dhënë Serbisë.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Serbisë nuk i ka pelqyer përgjigjia e KFOR-it, përndryshe siç thotë ajo, do ta bëntë publike.

“Serbisë nuk i ka pëlqyer përgjigjia e KFOR-it! Perndryshe do të ngutej ta bëntë publike”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ndërsa Milazim Krasniqi, profesor universitar në UP, dje komentoi përgjigjen e KFOR-it, duke kritikuar “thmijaqat që ende kujtojnë se duhet me shitë trimni në fejsbuk”.

“Fakti që KFOR-i vendos në mënyrë sovrane dhe ende askush nuk e di përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it, tregon kush kollitet në këtë vend. Disa thmijaqa ende kujtojnë se duhet me shitë trimni në fejsbuk.” – shkroi ai.

Çka tha Ministria e Mbrojtjes e Serbisë?

Dje Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se ka marrë një përgjigje nga KFOR-I rreth kërkesës për dërgimin e 1000 ushtarëve serbë në Kosovë.

Në një komunikate për media, MBS-ja ka njoftuar se përgjigjen e kanë pranuar në kufirin në Merdare.

“Përfaqësuesit e Komisionit për Zbatimin e Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë marrë në prag të Krishtlindjeve, në orën 19:00, në vendkalimin administrativ Merdare, një përgjigje ndaj kërkesës për kthimin e deri në 1000, pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe dhe të Policisë së Republikës së Serbisë në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë nga përfaqësues të KFOR-it”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje ata kanë njoftuar se kjo përgjigje është dërguar në kabintetin e Presidentit, Alksandar Vuçiq.

“Ministria e Mbrojtjes e ka dorëzuar dokumentin e lartpërmendur në Kabinetin e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta njohur Presidentin me përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it”, thuhet në përfundim.

Lajme të ngjashme