Përfundon protesta në Rudar, krejt çka ndodhi
Rreth orës 13:00 ka përfunduar protesta në Rudar, e organizuar nga serbët, e që erdhi si reagim i deklaratave të Kryeministrit Kurti rreth heqjes së barrikadave në veri të vendit.
Protestës i prinë krerët e Listës Serbe, pjesëmarrës ishin rreth 1 mijë e 500 protestues, e në fund të gjith u shpërndanë të qetë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar.
“Sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës.” Thuhet aty.
Në njoftimin e tyre, Policia gjithashtu përgënjeshtëroi raportimet e disa mediumeve, ku pretendohej se disa autobus me protesutes nuk janë lejuar të marrin pjesë në protestë.

Sipas Policisë bëhet fjalë për një autobus të ndaluar, dhe atë me të vetmin qëllim të kontrollit rutinor e verifikim të dokumenatave. Por sipas Policisë disa nga personat nuk pranuan të legjitimohen nga autoritetet, dhe nuk vazhduan tutje rrugën, me vetë dëshirë.
“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.
Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje.” Thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:
“Protesta në Rudar të Zveqanit përfundon e qetë, Policia e Kosovës demanton spekulimet për gjoja pengimin e autobusëve në Shtërpce, që kishin për qëllim shkuarjen në protestë
Prishtinë, më 22 dhjetor 2022
Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.
Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje.
Policia e Kosovës siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.
Sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës.”
Çka tha Goran Rakiç në protestë?
Ish ministri në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq, ka bërë një fjalim mjaft të ashpër e të rëndë në protestën e sotme në Rudarë.
“Terrori që po e pësojmë çdo ditë, listat sekrete, arrestimet dhe keqtrajtimet e forcave speciale të Albin Kurtit janë shkaku i tubimit të sotëm. Duam të themi se duam paqe dhe liri, por edhe se nuk mund të heshtim ndaj padrejtësive, rrahjes së popullit tonë, të pranojmë që të zhdukemi në heshtje,” – u shpreh z. Rakiq mes tjerash.

Por, ai në këtë fjalim nuk përmendi vetëm serbët e vendit por edhe “boshnjakët e goranët”.
Kryetari i Listës Serbe kërkoi lirimin e Milan Axhiqit dhe Dejan Pantiqit dhe po ashtu kërkoi tërheqjen e policisë nga veriu i Kosovës.
Pse u protestua?
Derisa barrikadat kanë hyrë në ditën e 13, e të cilat kanë si arsye arrestimin e ish zyrtarit policor Dejan Pantiq, kësaj here e gjithë çështja ka të bëjë me një fjali.
Ajo fjali është thënë nga kryeministri ynë, Albin Kurti.
“Brenga jonë është që heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat,” – kishte thënë z. Albin Kurti për gazetën prestigjioze britanike The Guardian.
Protestuesit
Njëra pankartë në protestë shkruan “Nuk po du me heshtë për terrorin e Kurtit!”
Një tjetër, më kryesorja, përmban këto fjalë: “Kurt, Kosova dhe Metohija nuk janë pronë e jotja, por e gjyshërve tanë,”

Në këtë protestë foli edhe i biri i ish zyrtarit policor Dejan Pantiq i arrestuar nga Policia e Kosovës për prishje të rendit publik.
I biri i tij pretendoi se i ati i ishte arrestuar vetëm pse “ishte serb”.

“Babai im është arrestuar dhe tashmë është shpallur fajtor... Babai im është fajtor sepse është serb, dhe sepse ka jetuar gjithë jetën këtu. Njerëzit po e shohin veten tek babai im... Pse po hesht Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare?” – u shpreh Predrag Pantiqi.
Një ekip i Gazetës Nacionale, e ka përcjellur nga afër rrjedhën e protestës