“Përfundon procesi i lidhjes së kontratave”, raportohet se Elektrosever do të nisë funksionimin së shpejti - NACIONALE

“Përfundon procesi i lidhjes së kontratave”, raportohet se Elektrosever do të nisë funksionimin së shpejti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në raportin e së ashtuquajturës zyrë për Kosovë, të dhënë në lidhje me procesin e negociatave me Prishtinën për periudhën nga shtatori 2022 deri më 15 janar të këtij viti, është thënë se është bërë progres në zbatimin e Udhërrëfyesit, për zbatimin e marrëveshjeve energjetike nga viti 2013 dhe 2015.

Media serbe në Kosovë, Kossev raporton se, kjo zyrë ka treguar që Elektrosever ka përfunduar procesin e lidhjes së kontratave të nevojshme standarde teknike me KOSTT-in dhe se ka mbetur vetëm lidhja e dy kontratave me KEDS-in, duke shtuar se nënshkrimi i tyre është shtyrë për shkak të “obstruksioneve nga Prishtina”.

Më tej bëhet e ditur se në raport është thënë se pritet që KEDS-i në periudhën në vijim t'ia dorëzojë Elektrosever-it draftin e kontratës komerciale në fjalë dhe që kjo kompani të hyjë në funksion në një periudhë të shkurtër kohore pas përfundimit të saj.

Kujtojmë se Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje më 21 qershor në Bruksel për "Hartën Rrugore" me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara më parë për energjinë. Dokumenti i cili përmban 9 pika përcakton se çfarë duhet të ndodhë në fushën e energjetikës në veri të Kosovës, duke ndarë obligimet e Beogradit dhe ato të Prishtinës.

Fillimisht të dyja palët, këtë marrëveshje e kanë paraqitur si fitore të tyren, me Prishtinën që ka thënë se më në fund do të mundësohet faturimi i energjisë elektrike në katër komuna në veri dhe Beogradi që e ka cilësuar si konfirmim se "askush nuk do të depërtojë në nënstacionin e Valaçit", dhe se Kompania e sapothemeluar - Elektrosever ka fituar pavarësinë.

Megjithatë, që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje e deri më sot, zyrtarët e Prishtinës dhe Beogradi kanë akuzuar njëri-tjetrin se jo të gjitha obligimet nga ky dokument janë zbatuar në afatin e paraparë prej 100 ditësh.

Ndërsa tani, sipas Kossev, në këtë raport të ri thuhet se, “përkundër pengesave të Prishtinës” është bërë progres në zbatimin e Udhërrëfyesit, ku theksohet se Elektrosever ka përfunduar procesin e lidhjes së kontratave të nevojshme standarde teknike me operatorin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike KOSTT, për të cilën është rënë dakord në Udhërrëfyes, por edhe, siç kanë thënë ata, është bërë një hap teknikisht i nevojshëm për vendosjen e funksionimit të plotë të Kompanisë Elektrosever.

Lajme të ngjashme