Për të matur Presidenten në diplomaci, stafi i saj fokusohet te sasia
Shkruan: Arbër TH A Ç I
Një pjesë esenciale e prerogativave/të drejtave të cilat duhet t’i ushtroj Presidenti/Presidentja, në fushën e politikës së jashtme, kufizohen në përfaqësimin diplomatik që ai/ajo duhet të bëj, sigurisht duke u mbështetur në planifikime paraprake strategjike. Në rastin e tanishëm, gjatë periudhës një-vjeçare të Presidentes Osmani, puna e saj diplomatike është mbështetur në një qasje të angazhimeve sasiore. Kjo mënyrë është aplikuar, kryesisht, nëpërmjet vizitave në vende ose forume të cilat nuk gëzojnë rëndësi të shquar, në kuptimin e ndikimit të vendimmarrjes.
Këshilltari i Presidentes Osmani - i ngarkuar për raportin e saj me media - Bekim Kupina, ka publikuar një listë të ngjarjeve diplomatike, takimeve, ose forumeve në të cilat ajo ka marrë pjesë. Pohimet e Kupinës, gjithsesi, në stilin triumfues, janë se puna e presidentes në planin e jashtëm është shumë e suksesshme. Ai ndër të tjera pandeh se faktet aq janë të konsoliduara, sa që asnjë përpjekje argumentuese nuk mund t’i vë në dyshim, ose siç shprehet vetë se “faktet flasin më shumë së fjalët”.
Publikimi në fjalë, i cili vazhdon të shprehet numerikisht, në vështrim të parë mund të krijojë përshtypjen e një agjende të suksesshme të mbushur përplot aktivitete, meqenëqë gjitha puna diplomatike zbritet në arritje të mëdha numrash. Mirëpo, një gjykim më i hollësishëm, vë në pah së angazhimi i Presidentes, mund të ishte më përmbajtjesor, veçanërisht në çështjen e përzgjedhjes më të arsyeshme të prioriteteve, duke anashkaluar pjesëmarrjen në një numër takimesh ose forumesh, frytet diplomatike të së cilave janë triviale.
Për më tepër, ashtu siç e kemi hasur në komunikimet e zyrtarëve të tjerë publikë, edhe ky komunikim brendëson – ndoshta në një formë latente – pretendimin se gjërat janë përmbysur [për së mbari] tërësisht, me zonjën Osmani në krye të institucionit.
Ngjashëm, “angazhimi maksimal”, cilësim ky i cili qenka i vetmi përshkrues i punës së znj. Osmani, sipas Kupinës, duhet të ketë munguar në periudhën paraprake, meqë tashmë po joshë aq shumë vëmendje.
Po ashtu, duke i shtuar punës diplomatike të Presidentes tiparin e një angazhimi intensiv, ndërtohet një lloj pikëpamje sakrifikuese e të shpjeguarit të gjërave. Kësisoj, aty zënë fill pretendime për një angazhim vetë-mohues të Presidentes– ka mundësi edhe asketik.
Në kuptim të cilësisë së veprimtarisë diplomatike të Presidentes brenda këtij pothuajse çerek-mandati nuk ekzistojnë të dhëna, mbi të cilat mund të bazohemi, se njëmend puna është transformuar. Për të ndodhur kjo, nuk mjafton afirmimi në stilin e pohimeve me patos të lartë të zyrtarëve rreth presidencës për një gjë të tillë. Do të duhej shtuar në hambarin e arritjeve edhe rezultatet e dukshme, të cilat [ndoshta] do të mund të ishin, njohje të reja, përgatitje të organizimeve për aplikim në organizata të ndryshme, etj! Rrjedhimisht, një vit ideal nga pikëpamja e punës diplomatike, do të duhej të përmbyllej me një numër rezultatesh, të cilat, mbase edhe do të impononin idenë e pretenduar nga presidenca, se me sihariqin e Presidentes Vjosa, tashmë ka ndodhur një transformim në planin e punës diplomatike të saj. Afërmendsh, për aq kohë sa puna diplomatike njehsohet – vetëm – nëpërmjet takimeve numerike, duhet të vihet në dritë se sukseset në këtë fushë, nuk mbarojnë në përmbledhje kalkuese takimesh – por ndoshta, aty veçse fillojnë!