Për një ditë, Konjufca e Peci me të njejtën frazë: "Vjosa Osmani po e mbron Amerikën nga Kurti"
“Vjosa Osmani po e mbron Amerikën prej Albin Kurtit”, sipas Glauk Konjufcës dhe Faton Pecit.
Të dy, gjatë intervistave të dhëna të mërkurën në mbrëmje, deklaruan se kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, po bën deklarata të tilla.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në emisionin “Debat Plus” tha se Osmani po i përdor dy tema kryesore: Amerikën dhe Serbinë.
“Ajo është në dhomat e negociatave në Bruksel dhe normalisht rrihet me orë të tëra. Çka po ndodh tash është se Osmani po dëshiron t’i përdorë dy tema – Amerikën dhe Serbinë. Ajo po don me e mbrojt Amerikën prej Albin Kurtit, si dhe me e frikësu popullin me Serbinë. Sikurse PDK-ja dhe LDK-ja i kanë humbur zgjedhjet me këto dy tema, do t’i humbin sërish”, tha ai.
Nga ana tjetër, Faton Peci, edhe pse nuk ia përmendi emrin Osmanit, tha se deklarata të tilla janë “gabim politik”.
“Unë mendoj që në skenën politike dhe në studio televizive duhet të bindemi përfundimisht se nuk ka nevojë me e mbrojt Amerikën prej Albin Kurtit. Të gjithë ata që e bëjnë këtë, bëjnë gabim politik. Amerika mbrohet vet, s’ka nevojë me i dhënë ne mbrojtje, kinse po e rrezikon Albin Kurti”, deklaroi ai.
Pak ditë më parë, Vjosa Osmani, gjatë një tubimi, la të kuptohet se dikush nga politikanët kishte kërkuar që baza ushtarake amerikan Bondsteel të paguante qira.
“Kush do ta kishte imagjinuar se të gjitha këto bëhen pengesë dhe arsye për bllokadë të shtetit tonë dhe zgjedhje të panevojshme? Kush do ta kishte imagjinuar që konsiderohesh pengesë sepse e do Kosovën si shtet ku ushtari i Kosovës mbron paqen krah për krah me ushtarin amerikan, e jo si një shtet ku politikanë të caktuar thonë se Bondsteel-it duhet t’i kërkojmë qira”, kishte thënë ajo.
Të enjten, Osmani përmendi edhe takimet e kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic.
“Pyetja nuk është çka kam folur unë në një takim publik me dhjetëra njerëz. Pyetja është çka ka folur ai vetëm me Vuçiqin dhe Lajçakun në një dhomë, pa askënd tjetër aty. A e dini ju? As unë nuk e di. Jam presidente e Kosovës dhe nuk më kanë treguar. A nuk mendoni që e kanë detyrim të dalin para qytetarëve? Vetëm në një dhomë kanë qenë Kryeministri i Kosovës, Presidenti i Serbisë dhe Lajçaku. Kjo është pyetja. Unë e kam transkriptin e asaj çka kam biseduar, por ne do të bëjmë komision parlamentar për atë çka kanë biseduar ata. Çka po mbajnë fshehtë?”, deklaroi ajo.