Për 4 muaj, pushteti i PDK-së në Vushtrri shpenzoi mbi 8 mijë euro për dreka zyrtare - NACIONALE

Për 4 muaj, pushteti i PDK-së në Vushtrri shpenzoi mbi 8 mijë euro për dreka zyrtare

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Garë e ashpër ishte zhvilluar në zgjedhjet lokale vitin e kaluar në Vushtrri. Ferit Idrizi i PDK-së e Xhafer Tahiri i LDK-së ishin përballur në një balotazh, me akuza të ashpra për njëri-tjetrin. Shpenzimi i parasë publike dhe projektet e ndryshme, ishin bërë ‘mollë sherri’ disa herë në debatet mes të dyve. Tash e më shumë se katër muaj që kur Vushtrria është nën udhëheqjen e Ferit Idrizit të PDK-së, shpenzimet nuk kanë qenë të vogla siç premtohej në fushatë.

Pas ministrave të kabinetit qeveritar e kryeministrit Kurti, gazeta Nacionale do të raportojë edhe për shpenzimet e drekave, mëditjet e udhëtimet për kryetarët e komunave. E para është një komunë të cilën e udhëheq një nga partitë opozitare në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës e riktheu qeverisjen në Vushtrri, pasi kandidati i saj Ferit Idrizi e mposhti Xhafer Tahirin.

Më 6 dhjetor të vitit 2021, Idrizi e pranoi detyrën nga Xhafer Tahiri i LDK-së. Që nga atëherë, kryetari i Vushtrrisë bashkë me drejtorët e tij dhe pjesën tjetër të kabinetit, shpenzuan goxha para për dreka zyrtare. Megjithatë, vetë komuna po krenohet se shpenzimet janë shumë më pak se për periudhën e njëjtë vitin e kaluar.

Por, sa shpenzoi Idrizi me drejtorët?

Në muajt dhjetor, janar, shkurt e mars deri në ditët e para të prillit, Ferit Idrizi bashkë me drejtorët dhe pjesën tjetër të kabinetit, kanë shpenzuar saktësisht 8 mijë e 61 euro për dreka zyrtare.

Kurse, për mëditje, nga buxheti i Kosovës janë ndarë 1 mijë e 751 euro për kryetarin e Vushtrrisë, ose drejtorët dhe anëtarët e tjerë të kabinetit.

Në total për dreka zyrtare e mëditje, për pak më shumë se 4 muaj, qeverisja e PDK-së në Vushtrri, shpenzoi mbi 9 mijë e 800 euro.

Këto shpenzime i kanë arsyetuar në përgjigjen që komuna e Vushtrrisë e ka dhënë për gazetën Nacionale.

“Më lejoni t'ju njoftoj se në kuadër të shpenzimeve për dreka zyrtare përfshihen edhe reprezentacionet e 12 Drejtorive, Kryesueses së Kuvendit, Nënkryetarit të Komunës, Kabinetit të Kryetarit; të gjitha këto të rregulluara me udhëzim administrativ”, thuhet në përgjigjen e Nacionales.

Në kuadër të këtyre shpenzimeve për dreka, ishte edhe një ceremoni për shpalljen e sportistit të vitit.

“Gjithashtu më lejoni t'ju njoftoj se në kuadër të kësaj përfshihet edhe një faturë për organizimin e sportistit të vitit, që ka qenë e planifikuar të mbahet në vitin 2021 e është fatururar në vitin 2022”, thekson komuna për gazetën.

Megjithatë, nga komuna e Vushtrrisë po krenohen se këto shpenzime janë dukshëm më pak se për periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, kur komunën e udhëhiqte Xhafer Tahiri.

“Përkundër të gjitha këtyre, shpenzimet e kësaj periudhe kohore në krahasim me periudhën kohore të vitit 2021 janë më të ulëta në vlerë prej 2000 euro”, thuhet më tutje në përgjigjen e komunës së Vushtrrisë.

Gazeta Nacionale ditëve në vazhdim do të sjellë shpenzimet edhe në komuna të tjera të Kosovës, nga kryetarët aktualë por edhe nga kryetarët e kaluar të cilët kishin humbur në zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2021.

Lajme të ngjashme