Peja dhe Malisheva stërmbushin sallat e partive opozitare – Kurti u flet disa qindra simpatizantëve në Deçan - NACIONALE

Peja dhe Malisheva stërmbushin sallat e partive opozitare – Kurti u flet disa qindra simpatizantëve në Deçan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në ditën e 16-të të fushatës zgjedhore, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u mbajti fjalim vetëm disa qindra simpatizantëve në tubimin e radhës të kësaj partie në komunën e Deçanit. Në anën tjetër, tubimet e partive opozitare vazhdojnë të tërheqin mijëra mbështetës, duke shënuar pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe, ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në Pejë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) organizoi një tubim që rivalizoi për nga madhësia dhe entuziazmi atë të Prishtinës gjatë hapjes së fushatës.

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e nis fjalimin me tone ironie ndaj qeverisë aktuale, duke përmendur urën dy metërshe të Saradranit.

Ai tha se pas zgjedhjeve kjo urë do të shpallet monument i mbrojtur dhe muze për të kujtuar mungesën e rezultateve nga qeverisja aktuale.

“Me 12 miliardë e 51% puna e vetme është një urë dy metërshe në Saradran – të cilën pas 9 shkurtit do ta vendosim si monument të mbrojtur e si muze. Si muze e rikujtim se mundesh me i pas krejt e mos me bë bash asgjë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se gjithmonë ka ëndërruar të mbajë një fjalim në sallën më të flaktë elektorale në vend, në Karagaç.

“Por as në ëndrrat më të mira të miat, as në parafytyrimet më të ndryshme, nuk e kam menduar e paramenduar se Karagaçi do të jepte kaq shumë dridhje, kaq shumë energji, kaq shumë forcë në rrugëtimin tim. Dhe ja ku jam sot këtu, e bukura Pejë, lule e Dukagjinit, për të marrë bekimin tuaj, në rrugëtimin tim dhe partisë që udhëheq drejt Qeverisë”, ka thënë Abdixhiku.

Tubim madhështor të Malishevë mbajti edhe kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me partnerët e koalicionit.

Kreu i AAK-së falënderoi Malishevën për mbështetjen e jashtëzakonshme, duke shtuar se ky qytet tregoi fuqinë e bashkimit për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar ekonomikisht.

“Malisheva foli e zemër të madhe! Tubimi madhështor në Malishevë tregoi fuqinë e bashkimit tonë, për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht dhe të sigurt. Faleminderit Malishevë për mbështetjen e jashtëzakonshme! 137 – Për Kosovën Fituese”, tha Haradinaj.

Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u zotua para qindra veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rritje prej 50% të pensioneve të veteranëve të UÇK-së – dhe që familjet e dëshmorëve nuk do të kenë nevojë të zgjedhin mes pensionit të veteranit dhe atë të moshës: por, t’i marrin të dyja.

Hamza para se të shpalojë zotimin e tij para kategorive të luftës, iu drejtua atyre me vlerësimin se “ju nuk jeni thjesht luftëtar të lirisë, por edhe nderi i kombit”.

“Ky është premtimi im për ju: një Kosovë ku shteti është shtyllë e drejtësisë, zhvillimit eknomik dhe e dinjitetit. Prandaj ne angazhohemi për ju dhe familjet tuaja dhe gjithë qytetarët. Përkrahja për familjet e dëshmorve, invalidëve, dhe veteranëve: do të rrihet 50% në muajt e parë të mandatit të PDK-së”, tha Bedri Hamza.

“Familjarëve të dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin mes pensionit të moshës dhe veteranit – do t’i merrain të dyjat. Veteranët nuk do të kenë kufizime, do të kenë mundësi të marrin të ardhura nga shteti”, tha ai.

Lajme të ngjashme