Rrahen mes vete dy këshilltarë komunalë të VV-së në Podujevë - NACIONALE

Rrahen mes vete dy këshilltarë komunalë të VV-së në Podujevë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës dyshohet se janë rrahur mes vete në oborrin e objektit të komunës.

Sipas burimeve të Nacionales, asmablistët që janë rrahur mes vete fizikisht, janë Artrit Mulliqi dhe Ragip Fetahu.

Po ashtu, këto burime tregojnë që të njëjtit janë shoqëruar për në stacionin e Policisë së Kosovës në këtë qytet dhe gjenden ende aty.

Deri më tani, dyshimet e para që çuan në mosmarrëveshje dhe në rrahje fizike, kanë të bëjnë për emërimin e shefit të grupit të asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal.

Më tej, në pozitën e shefit të grupit është emëruar Haki Rudari, teksa dyshohet se të njëjtën pozitë e ka synuar edhe Artirit Mulliqi, pozitë kjo që duket se ka qenë mollë sherri për rrahjen mes tyre.

Deri më tani policia nuk ka dhënë detaje për rastin në fjalë, pasi janë kontaktuar nga gazeta Nacionale.

Kujtojmë se në Podujevë kishte pasur përplasje politike edhe në të kaluarën, me kryetarin Shpejtim Bulliqi që kishte shkarkuar disa herë drejtorët e tij të Inspeksionit - mes tyre edhe Besnik Mulliqi (i cili nuk dihet nëse ka relacion familjar me Artritin). Po ashtu, Bulliqit i ishte larguar edhe Driton Veliu - drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale - derisa thuhej që arsyeja e vërtetë për këto lëvizje kishte qenë kandidatura e tij për kryetar të qendrës së VV-së në këtë komunë.

Bulliqi më pas ishte zgjedhur kryetar i qendrës së Vetëvendosjes në këtë komunë, por tashmë problematike po shihen edhe ndarjet e pozitave mes aktivistëve të partisë.

PËRDITËSIM (12:19)

Policia e Kosovës tashmë i ka kthyer përgjigje gazetës Nacionale, dhe në të cilën konfirmon se rasti ka ndodhur në afërsi të objektit të komunës së Podujevës.

"Rreth orës 11:00 jemi informuar se ka një mosmarrëveshje në afërsi të objektit të komunës së Podujevës. Njësia policore ka dalë në vendngjarje ku për intervistim ka shoqëruar në stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit." - thuhet në deklaratën e Policisë.

PËRDITËSIM (14:01)

Ragip Fetahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, është deklaruar rreth rrahjes që ka ndodhur sot, e ku përfshi edhe kolegu i tij nga e njëjta parti, z.Artit Mulliqi.

Sipas Fetahut, ai është sulmuar fizikisht nga Mulliqi në oborr të komunës.

Tutje, ai ka rrëfyer edhe momentin e kësaj përplasje, duke theksuar se ky është një inskenim i formacioneve të brendshme parapolitike të LVV.

Sot në oborrin e Komunës jam sulmuar fizikisht në Kolegu im z. Artrit Mulliqi. Pas pauzës së shkurt të Kuvendit dola për të marë një kafe dhe ujë në një Kafene pranë Kuvendit. Duke u kthyer për në Komunë, z. Mulliqi më vjen nga pas dhe më drejtohet kështu; ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua. Unë i drejtohem; ti ke kërku votë për shef të Asambleistëve, secili e ka punën e tij, mos mu drejto mua kështu. Pas këtyre fjalëve z. Mulliqi më kap në këmishe dhe duke më fyer e ofenduar, e duke më sharë me nënë e familje. Kam tentuar disa herë ta largojë me duar por nuk munda. Kam lëvizur me duar pa ndërprerë. Por, ai nuk më lëshonte. Kanë ndërhyrë disa persona për ta larguar dhe në tentim e sipër më godet në pjesën e pasme të kokës duke më shkaktuar dhembje ekstreme të kokës dhe marramendje.”, shkroi z.Fetahu.

LAJMI NË PËRDITËSIM...

Lajme të ngjashme