PDK-ja shkëput "çdo komunikim zyrtar" me krerët e shtetit
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka prezantuar një seri veprimesh që do të ndërmarrin ndaj Qeverisë së Kosovës, duke shprehur shqetësimin për situatën aktuale në vend pas mbledhjes së këshillit drejtues të partisë.
Një nga kërkesat kryesore të Krasniqit është shpallja e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ai ka kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt, përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti ose shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.
“Në një kohë sa më të shpejtë të shpallet data për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit. Nga sot s’do të votojmë në asnjë forum, as ligje, as vendime, as rezoluta, as marrëveshje, sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne s’mund ta simulojmë normalitetin”, ka thënë Krasniqi në konferencën e sotme për media.
Krasniqi ka deklaruar se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë forum votimi, nuk do të miratojë ligje, vendime, rezoluta ose marrëveshje, përveç në raste emergjente dhe për të diskutuar çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme.
“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten përveç në situata emergjente, dhe për të diskutuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme" ka thënë ai.