PDK mbledh kryesinë: Nga marrëveshja finale me njohje në qendër, në marrëveshje me Asociacion në qendër
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se të martën ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend.
PDK ka cilësuar se vendi ka shkuar nga marrëveshje finale me njoje në qendër me Serbinë, në marrëveshje të përkohshme në Asociacion në qendër.
“Partia Demokratike e Kosovës e cilëson si mundësi të humbur për Republikën e Kosovës pranimin e propozimit evropian nga ana e Kryeministrit Kurti, i cili dokument është i pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve shtetërore të vendit tonë.” – thuhet në komunikatën e partisë.
PDK në komunikatën e saj thotë se kanë paralajmëruar disa herë se jo do të ndodhte.
“Kryeministri Kurti hoqi dorë nga qëndrimet dhe kushtet e tij para interesave personale dhe ambicieve për të qëndruar në pushtet. Ndërkaq, si rrjedhojë, Kosova humbi njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa fitoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.” – bëhet e ditur tutje.
Po ashtu, kjo parti përmend se në propozim zyrtar nuk flitet për njohjen nga pesë vendet, as për anëtarësimin në NATO e marrjen e statusin kandidat për anëtarësim në BE.
“Për më shumë, në propozimin zyrtar nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Përkundrazi, aty flitet për kompetenca të zgjeruara për komunitetin serb, që rrezikojnë të qojnë drejt autonomisë substanciale dhe, po ashtu, flitet për statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, që rrezikon të qojë drejt ekstra-territorialitetit.” – thuhet në njoftim.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 28 shkurt – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike.
Partia Demokratike e Kosovës e cilëson si mundësi të humbur për Republikën e Kosovës pranimin e propozimit evropian nga ana e Kryeministrit Kurti, i cili dokument është i pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve shtetërore të vendit tonë.
Dje, përmes pranimit të propozimit evropian, fatkeqësisht, ndodhi ajo që PDK kishte paralajmëruar disa herë gjatë javëve dhe muajve të fundit.
Kryeministri Kurti hoqi dorë nga qëndrimet dhe kushtet e tij para interesave personale dhe ambicieve për të qëndruar në pushtet. Ndërkaq, si rrjedhojë, Kosova humbi njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa fitoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Për më shumë, në propozimin zyrtar nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Përkundrazi, aty flitet për kompetenca të zgjeruara për komunitetin serb, që rrezikojnë të qojnë drejt autonomisë substanciale dhe, po ashtu, flitet për statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, që rrezikon të qojë drejt ekstra-territorialitetit.
Për dy vjet me radhë, Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. PDK e ka inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i ka ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Për fat të keq, Kryeministri Kurti injoroi çdo ndihmë e këshillë që i është dhënë dhe kokë më vete e në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut.
Rrjedhimisht, ai mundësoi zëvendësimin e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër me një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër. Pikërisht, ashtu siç ka synuar Serbia në këtë proces të dialogut.