PDK mban tubim të madh në Ferizaj: Hamza zotohet se “mungesa e rezultateve do të ndryshojë më 9 shkurt”
Ndërsa Kosova hyn në ditën e dytë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) organizoi një tubim të madh në qytetin e Ferizajt, ku kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, theksoi nevojën për ndryshim dhe rikthimin e një qeverisjeje që sipas tij i sjell progres vendit.
Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, Hamza rikujtoi rolin e Partisë Demokratike të Kosovës në krijimin e shtetit të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e ish-liderëve të saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. “Partinë Demokratike e kanë udhëhequr krijuesit e shtetit të Kosovës – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli,” u shpreh Hamza, ndërsa turma shpërtheu në thirrje “UÇK, UÇK, UÇK”.
Hamza tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës "mbetet projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak në historinë e vendit", duke theksuar se vlerat e saj duhet të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj.
Hamza nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë aktuale, duke e akuzuar për mungesë rezultatesh dhe përkeqësim të standardit të jetesës.
Ai përmendi si argument rënien e normës mesatare të rritjes ekonomike, duke krahasuar periudhën para dhe pas vitit 2020.
“Vendi ynë viteve të fundit është përballur me një qeverisje pa rezultate. Nëse i shikojmë të dhënat zyrtare, rritja ekonomike nga shpallja e pavarësisë deri në vitin 2019 ka qenë më e lartë sesa në periudhën 2020-2024,” deklaroi Hamza.
Ai vazhdoi duke renditur disa nga problemet që, sipas tij, kanë përkeqësuar gjendjen e qytetarëve:
“Çmimet janë rrit, standaradi i jetesës është përkeqësuar. Çmimet janë rrit prej 40 deri në 100 për qind. Pagat dhe pensionet kanë ngelur të njëjta. Qytetarët janë varfëruar. Nuk ka asnjë projekt domethënës kapital më të cilin mund të identifikohet kjo qeveri. Nuk ka projekt të cilin e ka filluar dhe të cilin e përfundon.”
Hamza më tej përmendi edhe sfidat në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, duke kritikuar mungesën e barnave esenciale dhe rezultatet e dobëta të Kosovës në testin ndërkombëtar PISA.
Gjithashtu, ai adresoi problemet e furnizimit me energji elektrike dhe mungesën e rezultateve në diplomaci.
“Shëndetësi – mungesë e barnave esenciale. Arsim – rezultatet e PISA-s tregojnë se ku ka ngel Kosova. Energji – po iu pyes edhe pse e di; qysh e kaluat ju Ferizaji vitin e ri me furnizimin e energjisë elektrike. Në diplomaci – a ka më pas se zero njohje. Për më keq, vendi ynë është nën sanksione”, tha ai.
Ai u zotua se situata "do të ndryshojë më 9 shkurt, me votën e qytetarëve dhe mbështetjen për Partinë Demokratike të Kosovës."