PDK-ja gati, po për çka?
“Gati...”, kaq ka shënuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, pas takimeve dy ditore të strukturave të kësaj partie. Megjithatë, ai nuk ka treguar se për çfarë bëhet fjalë. As Memli Krasniqi, kryetari i kësaj partie, nuk ka treguar se për çfarë janë gati.
Dy ditë radhazi anëtarët e kryesisë, deputetët e grupit parlamentar dhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, kanë mbajtur takime.
Siç bëri të ditur kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi, në takime u koordinuan agjendat politike dhe legjislative para fillimit të Sesionit vjeshtor parlamentar.
Këto mbledhje të PDK-së, vijnë pikërisht në kohën kur shteti po përballet me greva, zgjidhja për të cilat, nuk është gjetur ende.
Partia më e madhe opozitare kritikon Qeverinë
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ku ka dhënë detaje nga këto takime të strukturave të PDK-së, ka thënë se “gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë”.
Kryetari i kësaj partie ka thënë se kriza ekonomike po përcillet me një inflacion rekord, derisa ka përmendur edhe shtrenjtimin e produkteve bazike.
“Kriza ekonomike që po përcillet me një inflacion rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit për fëmijët tanë, mungesa e investimeve kapitale, diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave dhe shumë probleme të tjera – kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Krasniqi tha se PDK do të angazhohet për të dhënë kontributin e saj, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
“Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ua ka kthyer shpinën problemeve të tyre. Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë ai.
Shkrimin e tij, Krasniqi e ka përfunduar duke thënë se “tjetër rrugë nuk ka”.
“Gati...”
PDK është gati për diçka. Të paktën, kështu la të kuptohet nënkryetari i kësaj partie, njëherit deputeti Xhavit Haliti.
“Gati...”, ka shkruar Haliti në një postim me disa fotografi nga mbledhja.
Vlen të theksohet se në maj të këtij viti, kryetari i PDK-së kishte prezantuar përmbajtjen e Kabinetit për Qeverisje të Mirë.
Krasniqi kishte bërë të ditur se ky kabinet do të përbëhet nga 15 departamente:
-Departamenti për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi;
-Departamenti për Agjendë të Gjelbër;
-Departamenti për Transformim Digjital dhe Inovacion;
-Departamenti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural;
-Departamenti për Punë Publike dhe Investime Kapitale;
-Departamenti për Financa;
-Departamenti për Drejtësi;
-Departamenti për Punë të Brendshme, Administratë Publike dhe Qeverisje Lokale;
-Departamenti për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare;
-Departamenti për Arsim, Shkencë dhe Kapital Njerëzor;
-Departamenti për Kulturë, Sport dhe Turizëm;
-Departamenti për Shëndetësi;
-Departamenti për Përkujdesje Sociale;
-Departamenti për Punë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane; si dhe
-Departamenti për Mërgatë dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar;
Partia Demokratike e Kosovës e kishte pasur një forme të ngjajshme të opozitës edhe në vitet 2005-2007.
Gjatë asaj kohe, në krye të PDK-së ishte Hashm Thaçi, i cili kishte krijuar modelin e Qeverisë në Hije e që kishte 14 departamente.

