Supremja rrëzon lëndën e PDK-së për rivotim në Mitrovicë, u qëndron shpjegimeve të CETIS-it, KQZ-së dhe PZAP-it
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën dhe kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për rivotim në Mitrovicë, duke vlerësuar se parregullsitë e pretenduara nuk përbëjnë cenim të integritetit të zgjedhjeve dhe nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të balotazhit. Vendimi i Gjykatës Supreme mban qëndrimin se ndërlikimet e gjetura te një pjesë e fletëvotimeve “kanë qenë thjesht teknike” dhe të shkaktuara nga një defekt i pajisjes së printerit të kompanisë “Cetis”, ndërkohë që nuk citon ndonjë hetim apo ekspertizë të pavarur, duke marrë për të mirëqenë dhe të vlefshme deklarimet e KQZ-së dhe kompanisë sllovene Cetis. “Gabimi i evidentuar është vetëm teknik, ndërsa fletëvotimet përmbajnë të gjitha elementet e sigurisë që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre”, thuhet në vendimin e Supremes.
PDK ngriti alarmin për ‘tren bullgar’, rritje të dyshimtë të daljes në votimin për raund të dytë në krahasim me raundin e parë dhe fletëvotime me numra serikë të përzier, dhe evidentoi se këto përzierje të numrave serikë kanë ndodhur në 51% të vendvotimeve në Mitrovicë të Jugut. Në ankesën e saj, PDK argumentoi se procesi i numërimit ishte kompromentuar rëndë për tre arsye kryesore: Përzierja e fletëvotimeve ndërmjet vendvotimeve, fenomeni të daljes më të lartë të votuesve në balotazh dhe fletëvotime të pavulosura dhe të vulosura dy herë. PDK dokumentoi një sërë rastesh ku fletëvotimet e një vendvotimi janë gjetur në kutinë e një tjetri. Në disa shembuj të përmendur:
“Në vendvotimin 1103/04 është gjetur një fletëvotim i vendvotimit 1102/10.”
“Në vendvotimin 1102/11 është gjetur një fletëvotim i vendvotimit 1102/10, i vulosur dy herë, që tregon për ‘trenin bullgar’.”

PDK i konsideroi këto raste dëshmi të qartë manipulimi dhe thyerje të kodifikimit unik të fletëvotimit, duke kërkuar përsëritje të procesit. PDK po ashtu theksoi se pjesëmarrja në raundin e dytë ishte më e lartë se në të parin – një situatë që sipas saj përbënte “rast unik” dhe shenjë të mundshme të “shtimit artificial të votave”. Sipas kësaj partie, ky fakt dëshmonte për synim të qëllimshëm për të ndërhyrë në rezultat. Në disa raste PDK ngriti edhe pretendime për presion ndaj votuesve, përfshirë një incident me një pronar kafeneje që, sipas partisë, ishte detyruar të mbyllte lokalin. Për më tepër, PDK i kujtoi Supremes “precedentë” të mëhershëm për ngjarje të peshës “shumë më të vogël” që kishte dërguar komuna në rivotim, si rasti i Mitrovicës në vitin 2011 kur për mosfunksionim dy orësh të llampave verifikuese, komuna ishte dërguar në rivotim. Supremja as këtë të fundën nuk e përfilli.
Qëndrimi i KQZ-së:
Pas auditimit të 105 kutive në Qendrën e Numërimit, KQZ në anën tjetër konstatoi se:
124 fletëvotime kishin kod të shtypur gabim ose pa kod fare. 40 prej tyre ishin përdorur gjatë votimit. Votat ishin ndarë: 22 për kandidatin e PDK-së dhe 18 për kandidatin e LVV-së. Sipas KQZ-së, gabimet vinin nga një defekt teknik në njërën nga katër kokat e printerit të Cetis, të cilat shtypnin kodin e vendvotimit.
“Asnjë nga fletëvotimet e dedikuara për vendvotim nuk është bartur në vendvotime tjera... të gjitha janë origjinale dhe përmbajnë elementet e sigurisë.”
KQZ theksoi se kodi i vendvotimit nuk përbën element sigurie, dhe për rrjedhojë gabimi teknologjik nuk e bën fletëvotimin të pavlefshëm.
PZAP: PDK nuk ofroi asnjë provë të drejtpërdrejtë për manipulim
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që e kishte refuzuar fillimisht ankesën, u mbështet në të njëjtin argument themelor:
“Ankuesi nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar këto parregullsi.”
PZAP e konsideroi pretendimin për “tren bullgar” të pajustifikuar meqë:
“Nuk ka mungesë të ndonjë fletëvotimi apo ndonjë fletëvotim të falsifikuar.”
Paneli vlerësoi se PDK nuk arriti të përmbushë standardin ligjor të provës së qartë dhe bindëse, të kërkuar për rivotim.
Supremja mbyll çështjen: Parregullsitë nuk kanë ndikim në rezultat
Gjykata Supreme, duke u mbështetur në raportet e KQZ-së, PZAP-it dhe kompanisë Cetis, arriti në konkluzionin se:
Gabimet janë të izoluara; prekin një numër minimal fletëvotimesh; nuk favorizojnë asnjërin kandidat; nuk ndryshojnë rezultatin zgjedhor; dhe se , nuk ka prova për manipulim
“Një proces zgjedhor mund të cenohet vetëm nëse parregullsia ndryshon rezultatin zgjedhor.”
Në këtë rast, sipas gjykatës, kjo nuk ka ndodhur.
Vendimi i plotë i Gjykatës Supreme: "KËTU"