PDK-ja dhe LDK-ja vendosin distancë nga mbështetja e një mandati të dytë për presidenten Osmani: S’ka vota pa marrëveshje
E ardhmja e Presidentes Vjosa Osmani dhe mundësia e saj për një mandat të dytë ka hapur një debat të ri politik, menjëherë pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Dy nga partitë kryesore opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë dhënë sinjale të qarta se nuk e shohin të garantuar mbështetjen për Osmanin, duke kushtëzuar çdo marrëveshje me bisedime të mirëfillta politike.
Nikaj: PDK nuk voton kandidat të Kurtit pa marrëveshje
Zëdhënësi i PDK-së, Bernard Nikaj, tha në një intervistë për Klan Kosovën se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar: pa dialog politik, nuk ka vota për asnjë kandidat për president, përfshirë edhe nëse kandidatura është ajo e Vjosa Osmanit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar të votojë vetëm për një kandidat të cilin e propozon z. Kurti pa një marrëveshje ose diskutim politik. Edhe kësaj radhe nuk ka asnjë arsye që ne, pa një diskutim politik apo dakordim, të shantazhohemi ose të kërcënohemi në votimin e cilitdo kandidat”, deklaroi Nikaj.
Ky qëndrim nënkupton se PDK kërkon, jo vetëm koordinim institucional, por një marrëveshje më të gjerë politike që përfshin raportet e ardhshme të pushtetit, balancat institucionale dhe agjendën qeverisëse të vendit.
LDK: Osmani nuk ka qenë unifikuese gjatë mandatit të saj
Të njëjtin ton rezervues e ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi në “Debat Plus” se LDK nuk e ndjen veten të detyruar politikisht për t’ia siguruar Presidentes Osmani votat e nevojshme për një mandat të dytë.
“Gjatë këtyre pesë viteve kemi parë një presidente që në shumë momente ka qenë e anshme. Presidentja duhet të jetë mbi partitë politike dhe të ketë një rol unifikues e përbashkues. Shpeshherë kemi parë vendime që kanë dhënë efekte dhe anësi politike ndaj partisë që ka qenë në pushtet”, deklaroi ajo.
Duke e vlerësuar rolin e Presidentes si jo gjithmonë neutral, Lushaku-Sadriu shtoi:
“Ne nuk e shohim si diçka që neve na obligon që të rrimë në sallë e as që t’i japim mbështetje. Ne si deputetë duhet ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marrë një qëndrim politik.”
Ndryshe, zgjedhja e presidentit kërkon 80 vota në dy raundet e para ose 61 vota në të tretin, çka e bën të domosdoshme pjesëmarrjen e të paktën një pjese të opozitës, duke qenë se Vetëvendosje nuk ka numra të mjaftueshëm për ta zgjedhur e vetme.
Deklaratat e PDK-së dhe LDK-së paralajmërojnë se procesi i zgjedhjes së presidentit mund të kthehet në një betejë të fortë politike, duke rritur mundësinë e bllokadës institucionale nëse nuk arrihen marrëveshje ndërmjet palëve.
Me VV-në që pritet të propozojë Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, dy partitë opozitare po krijojnë një front të përbashkët presioni për kushte politike më të gjera, duke e bërë të paqartë fatin e Presidencës në muajt në vijim.