“Pazar në kuti”; “blerje e mundshme votash”: Pse VV-ja kërkoi votim të fshehtë për kryeparlamentar? - NACIONALE

“Pazar në kuti”; “blerje e mundshme votash”: Pse VV-ja kërkoi votim të fshehtë për kryeparlamentar?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përpjeka e sotme e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar mënyrën e votimit për kryetar të Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra. Ky propozim për të votuar kandidaten për kryeparlamentare në mënyrë të fshehtë po shihet si përpjekje e partisë së Albin Kurtit për t`i kontrabanduar votat për deputeten Albulena Haxhiu.

Përfaqësuesit e partive të deridjeshme opozitare dhe të shoqërisë civile kanë bërë me dije se një veprim i tillë është antikushtetues.

Sipas tyre, kjo le dyshime se VV-ja po dëshiron korruptimin e këtij procesi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga VV-ja të tregoi se çfarë pazari fshihet prapa këtij propozimi.

Nga foltorja e Kuvendit, ai e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

“Ju edhe mund ta impononin në mënyrë të arbitrare përmes kryesuesit që po e keqpërdorni në çdo seancë, për çka ndjej keqardhje personalisht. Nuk keni të drejtë, as sekretariati nuk ka të drejtë me iu bind kërkesave të paligjshme dhe jo kushtetuese. Por, vota që nuk i keni në mënyrë transparente, qysh doni me i bo në mënyrë të fshehtë? A po mendoni që ka naj pazë të cilin ju e dini e ne tjerët nuk dimë që është në kutin e votimit? Ju nuk keni të drejtë”, ka thënë Krasniqi.

Të njëjta dyshime i ka shprehur edhe analisti Albert Krasniqi.

Derisa ka treguar se votimi i fshehtë është i paraparë vetëm në seancat plenare, Krasniqi ka vlerësuar se kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje votash.

Votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Seanca konstituive, nga ana tjetër, është seanca e parë, themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj. Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, VV-ja po abuzon me Kuvendin.

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik. Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë duket tashmë që veçse e ka humbur, ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut”, ka shkruar ai.

Kjo përpjekje e VV-së vije pas raportimeve se njerëzit kryesor të VV-së kanë kontaktuar drejtpërdrejt disa deputetë të partive tjera.

Një gjë të tillë, këtë javë e ka konfirmuar edhe Gani Geci, babai i deputetes së LDK-së, Marigona Geci.

Ai ka bërë me dije se nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufcën, e ka thirru në telefon dhe i ka kërkuar të tregoj se çka dëshiron në këmbim të votës së vajës së saj.

Nuk ka tani, por ka pas. Nga sekserët e LLV-së. Është një prej deputetëve të VV-së të rrethit të Prizrenit. Dhe ish-kryetari i Kuvendit të LVV-së, zoti Glauk Konjufca, me datën 14, një ditë para seancës së parë me thirri në telefon. Dhe më ka thënë çfarë po kërkon që të na votosh për, që Margiona Geci ta votojë qeverinë e Albin Kurtit. Dhe unë i kam thënë unë nuk kërkoj asgjë, unë nuk shes votën time, unë nuk i shes 20 mijë e 500 vota që i ka marrë Marigona Geci në LDK”, ka thënë Geci.

Lajme të ngjashme