Pastroi shkollën, dënohet drejtoresha në Gjakovë që bëri bujë pas ‘ndalimit’ të shamisë - NACIONALE

Pastroi shkollën, dënohet drejtoresha në Gjakovë që bëri bujë pas ‘ndalimit’ të shamisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Florentina Gjergjaj, drejtoreshë e gjimnazit “Nexhmedin Nixha”, ishte në qendër të debatit të zjarrtë rreth shamisë në shkolla. Kjo pasi e njëjta kishte vendosur një ilustrim në hyrje të shkolllës në Gjakovë, ku me anë të simboleve theksohej se ndalohet bartja e shamisë në obejktin arsimor.

Pasi u bë publike fotografia, ku shihej shamia krahas armëve e duhanit, Gjergjaj u vërshua nga komente negative. E së fundmi, asaj i ka dalë problem edhe me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjakovës, e cila e ka dënuar atë.

Dënimi për tejkalim të kompetencave

Gjergjaj është dënuar nga Komuna më 9 qërshor, por jo për çështjen e ilustrimit në hyrje të shkollës. Asaj i është shqiptuar një vërejtje nga Drejtoria Komunale me arsyetimin se Gjergjaj ka tejkaluar kompetencat e saj.

Në vendimin që e ka siguruar Nacionale, thuhet se Drejtoria e Arsimit në Gjakovë i shqipton vërejtje Gjergjajt për shkak të tejkalimit të kometencave të saj si menaxhere e institucionit në fjalë, për shkak se ajo i detyroi nxënësit të pastorojnë dhe rregullojnë ulëset e tyre mbi banka. Madje për të njëjtën gjë, Drejtoria pretendon se ka dëshmi.

Në arsyetim të vendimit përmenden edhe “shkelje” të tjera.

Kujdestarët e javës sipas një vendimi me dokument elektronik të shpallur nga drejtoresha Gjergjaj, janë detyruar të marrin me vete shportën e mbeturinave të cilën do ta dërgojnë te personeli teknik në korridor”, thuhet në vendim.

Për komunën, këto janë veprime të papranueshme të drejtoreshës Gjergjaj, dhe se kjo masë disiplinore ka për qëllim të parandalojë dëmtimin e personalitetit të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Hakmarrje?

Krejt kjo situatë, sipas burimeve të gazetës Nacionale, në Gjakovë, erdhi pas inatit të akumuluar muaj më parë, për ilustrimin në hyrje të shkollës.

Burimet i treguan Nacionales se një dënim i tillë erdhi pasi grupe të ndryshme fetare bënë presion te drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova – Baçi, për ta shqiptuar një vendim të tillë skandaloz.

Përndryshe, javë më parë, shkollën Nexhmedin Nixha e ka vizituar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, të cilët vlerësuan menaxhimin e mirë të Gjergjajt, e cila shkollë njihej dikur si problematike.

Burimi i problemit e kërcënimet në drejtim të drejtoreshës

Florentina Gjergjaj, drejtoresha e shkollës së mesme “Nexhmedin Nixha”, ka marrë kërcënime dhe ofendime të shumta për ndalimin e hyrjes me shami në shkollë, ndonëse një gjë e tillë buron nga një udhëzim administrativ i MASHTI-së.

Kërcënimet për drejtoreshën qenë shtuar si pasojë e reagimit të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Balje, në postimin e saj në Facebook, të cilin më pas e pati fshirë, e ka konsideruar skandaloz dhe ofendues për qytetarët këtë moslejim.

“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetare. Unë nuk mund të jem indiferente dhe gjithashtu kërkoj një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. A. Gjini”, kishte shkruar Balje.

Kjo ka mjaftuar që drejtoresha e kësaj shkolle të bëhet e njohur për opinionin e t’i çelet rrugë kërcënimeve, sharjeve e fyerjeve të njëpasnjëshme.

Ndaj këtyre kërcënimeve, Gjergjaj i është drejtuar edhe organeve të rendit, Policisë së Kosovës. Drejtoresha e shkollës së mesme “Nexhmedin Nixha”, Florentina Gjergjaj, pati thënë se për këtë çështje do t'i drejtohet organeve të sigurisë.

"Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitët sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’u drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime, Kosova, për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mia ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh se në disa raste përballemi edhe me individë të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës", pati deklaruar ajo.

Lajme të ngjashme