“Pasojat e Qeverisë Kurti”: Në ditën kur nis Dialogu Strategjik me Serbinë, SHBA-ja ia kujton Kosovës kushtet për rifillimin e këtij procesi
Izolimi i Kosovës: Serbia sot nis Dialogun Strategjik me ShBA-të, Kosovës i vendosen kushte për fillimin e këtij procesi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur kushte Kosovës për rifillimin e bisedimeve për Dialogut Strategjik, i cili është pezulluar në shtator të vitit të kaluar.
Në ditën që Serbia do të fillojë këtë proces me ShBA-në, Departamentit Amerikan të Shtetit ia ka rikujtuar Kosovës se ky proces do të rifillojë vetëm pasi të krijohen kushtet.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASh ka vlerësuar se këto kushte parashohim përmbushjen e obligimeve të institucioneve ndaj serbëve të Kosovës.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, është thënë në përgjigje.
Ky rikujtim për Kosovën vjen në në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, ka vlerësuar DASh-i.
Edhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka bërë me dije se kjo flet shumë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, diplomati amerikan ka thënë se Kosova nuk i ka punët mirë me administratën Trump.
“Treguesi më i qartë për këtë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington dhe ministri i Jashtëm [i Serbisë, Marko] Gjuriq do të jetë atje për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, [Christopher] Landau. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës që nga pezullimi i tij në shtator të vitit të kaluar, për shkak të dallimeve lidhur me disa zgjedhje politike të bëra nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Albin Kurti. Kjo është diçka që, sipas meje, Kosova duhet ta adresojë”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet ndryshuar qasjen.
“Mendoj se Kosova dëshiron ta pozicionojë veten si një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara. Këtë e kam dëgjuar nga të gjithë liderët politikë dhe të gjithë e kanë deklaruar publikisht - edhe pasi unë jam larguar nga Kosova. Por, për ta bërë këtë, duhet të kesh një qeveri. Duhet të kesh politika qeveritare. Duhet të kesh komunikim dhe angazhim. Dhe besoj se të gjithë ata që janë aktualisht në qeveri, do të thoshin se po i bëjnë këto gjëra.”, është shprehur ai, duke e përmendur edhe projektin e gazit amerikan.
“Megjithatë, situata është ndryshe kur ekziston kërcënimi i zgjedhjeve të tjera, kur nuk është zgjedhur ende presidenti ose kur qeveria vazhdon të jetë në detyrë. Për të ecur përpara duhen politika qeveritare. Një element tjetër është se Qeveria amerikane - kjo administratë amerikane, administrata Trump - ka qenë mjaft e qartë për dëshirën e saj që Kosova të përfshihet në nismat amerikane për energjinë në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në disa prej kornizave të krijuara për gazin e lëngshëm natyror (LNG)”, ka thënë ai.
Për çfarë kushtesh bëhet fjalë?
Ndonëse Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka specifikuar hapat që duhet t`i ndërmarrin institucionet e Kosovë për zhbllokimin e Dialogut Strategjik, njohësit e politikes së jashtme në vend kanë bërë me dije se bëhet fjalë për përmbushjen e obligimeve të marra në procesin e dialogut në Bruksel.
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka bërë me dije se ky kusht nënkupton formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në profilin e saj në Facebook, Tahiri ka shkruar se ShBA-ja duhet ta kushtëzojë edhe Serbinë për këtë proces.
“Amerika e ka kushtëzuar Dialogun Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve, ky kusht nënkupton asociacionin. Mirëpo Amerika duhet ta kushtëzoj dialogun strategjik edhe me Serbinë kur Serbia ta njeh shtetin e Kosovës - diplomacia e Kosovës duhet të punoj në këtë drejtim..”, ka shkruar Tahiri.
Kurse deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka vlerësuar se fajtor për këtë izolim të Kosovës është Qeveria Kurti.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka bërë me dije se derisa Serbia sot pritet në nis këtë dialogu, DASh-i i ka vendosur kushte Kosovës për këtë proces.
“Ky është bilanci i vërtetë i politikës së jashtme të Albin Kurtit: Serbia nis Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Kosovës i vendosen kushte për ta filluar atë! Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverisjeje që ka dëmtuar besimin me aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik dhe e ka futur vendin në një izolim të panevojshëm ndërkombëtar. Kur SHBA-ja kërkon fillimisht përmbushjen e zotimeve dhe rikthimin e kushteve për bashkëpunim, është e qartë se Kosova nuk po trajtohet më si partneri i besueshëm që ishte dikur. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për izolimin ndërkombëtar në të cilin e ka futur vendin dhe të rikthejë besimin e humbur me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë. Interesi i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak”, ka shkruar ajo.