Pas raportimeve për dobësim në Bakhmut, Rusia sulmon në veri e jug të vijës së frontit - NACIONALE

Pas raportimeve për dobësim në Bakhmut, Rusia sulmon në veri e jug të vijës së frontit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse sulmuan disa pjesë veriore e jugore të vijës së frontit në rajonin Donbas të Ukrainës të premten, edhe pse Kievi tha se sulmi i Moskës afër qytetit Bakhmut po molisej.

Në raportet e ushtrisë ukrainase përshkruhen luftime të ashpra përgjatë vijës nga Lymani në Kupiansk, si dhe në jug, në Avdivka, në periferi të qytetit të kontrolluar nga rusët, Donetsk, raporton agjencia “Reuters”.

Të dyja zonat kanë qenë caqe të rëndësishme të rusëve gjatë fushatës dimërore për ta marrë nën kontroll tërë rajonin e industrializuar të Donbasit. Ofensiva deri më tani ka sjellë pak përparim pavarësisht nga numri i madh i ushtarëve të vrarë të të dyja palëve në luftimet më të përgjakshme të luftës.

“Bombardimi i Avdivkas nuk ndalet – artileri, raketa, mortaja”- tha Oleksiy Dmytrashkyvskyi nga komanda ushtarake ukrainase, Tavria, e cila është përgjegjëse për zonat jugore. Ai shtoi se është i pikëlluar me kushtet me të cilat po ballafaqohen kryesisht të moshuarit, të cilët nuk kanë dashur të largohen.

Në një pozicion artilerie të forcave ukrainase, në pyjet me pisha prapa pjesës veriore të frontit, trupat hodhën predha 155-milimetërshe nga një obus francez i tipit TRF-1 drejt një autostrade që shfrytëzohet për furnizimin e Kreminës së kontrolluar nga rusët.

“Fatmirësisht, ne po e mbajmë pozicionin e njëjtë, sepse po ballafaqohem me një armik shumë të fuqishëm me armë shumë të mira dhe është një ushtri profesionale: trupa ajrore”- tha një ushtar ukrainas.

Vija e fronit ka ndryshuar pak nga nëntori, pavarësisht nga luftimet e shpeshta. Ukraina rimori nën kontroll territore të gjera në pjesën e dytë të vitit 2022, por prej asaj kohe ka qëndruar kryesisht në mbrojtje, përderisa Rusia ka sulmuar me qindra mijëra rezervistë dhe të dënuar të rekrutuar nga burgjet.

Përderisa dimri shkoi e pranvera po vjen, pyetja kryesore në Ukrainë është: edhe sa kohë mund ta mbajë Rusia ofensivën e vet dhe kur ose nëse Ukraina do të mund ta ndryshojë momentumin me një kundërofensivë.

Gjatë një takimi të premten në Otavë, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeay, e pohuan përsëri “përkrahjen e palëkundur për popullin ukrainas, kur ai po e mbron veten kundër pushtimin të ashpër e barbar të Putinit”- tha Trudeau.

Lajme të ngjashme