Pas dramës për paga, shteti dyshohet se ka “ndëshkuar” mësimdhënësit edhe me pagesat e Trustit
Dramë e madhe ishte përpasja e Qeverisë së Kosovës me sindikalistët, sidomos me ata të arsimit. Mësimi filloi me 3 tetor, një muaj më vonë se sa që parashihej. Në gusht dhe në shtator pati reagime të shumta, pasi që Ministria e Financave nuk ua ekzekutoi pagat mësimdhënësve, kjo për shkak se vendosën ta respektojnë grevën. Por tash, punonjësit e sistemit arsimor po dyshohet se janë ndëshkuar edhe me diçka tjetër, pagesat në Trustin Pensional.
Pagesat e mjeteve për muajin gusht dhe shtator në Trustin Pensional, shumë mësimdhënësve nuk po u figurojnë në sistemin online, dëshmi këto që i ka siguruar gazeta Nacionale.
A u “ndëshkuan sërish”?
Në disa fotografi “screenshot” që i posedon Nacionale, e të cilat kanë ardhur në adresën tonë nga disa mësimdhënës, shihet se pagesat e fundit në Trustin Pensional janë bërë në korrik, më konkretisht më 29 korrik 2022.
Nacionale bisedoi edhe me një mësimdhënëse tjetër, e cila na e konfirmoi të njëjtën.

“As mua, as bashkëshortit nuk na kanë dalë pagesat. Të dy jemi mësues”, ka thënë ajo në kushte anonimiteti.

Ministria e Financave është kontaktuar nga gazeta Nacionale për këtë çështje plot katër herë, dhe përkundër se kemi pritur një javë, nuk kemi marrë përgjigje.
Sidoqoftë, nga një institucion tjetër vendosën që të na kthejnë përgjigje, por për të na drejtuar krejt dikah tjetër.
Nacionale i kishte dërguar pyetje edhe Administratës Tatimore të Kosovës, por këta hoqën përgjegjësinë nga vetja, duke na thënë që t’i drejtohemi Trustit Pensional.
“Te lutem, adresoje kërkesën tende në Trust”, thuhej në përgjigjen e ATK-së.
Kështu vendosëm që të kontaktojmë edhe me Trustin Pensional, ndonëse nuk kishim biseduar më herët me ta duke marrë parasysh se një çështje e tillë mund të mos jetë nën përgjegjësinë e tyre.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi i tha Nacionales nuk mund të përgjigjet për këtë, pasi që nuk është përgjegjësi e këtij institutucioni mbledhja e kontributeve.
Demi po ashtu, e ka hedhur përgjegjësinë për t’u përgjigjur rreth çështjes te ATK-ja.
“E ndeurar, ne nuk japim përgjigje të tilla meqë as nuk është përgjigjësi e jona mbledhja e kontributeve. Administrata Tatimore e ka këtë përgjegjësi andaj mund të kontaktoni me ta nëse mund t'jua japin atë përgjigje”, tha ai për Nacionalen.
Gati gjysma e mësimdhënësve kundër kryeministrit
Votimi i mësimdhënësve që u mundësua nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, që ata të vendosin nëse duan ta pezullojnë grevën deri në janar 2023, tregoi shumë.
Tregoi se ata që i sulmonte kryeministri Albin Kurti, pra SBASHK-un, nuk po merrnin vendime “krye në vete”, siç fliste me paranojë shefi i ekzekutivit.
Gati gjysma e mësimdhënësve u deklaruan se janë pro vazhdimit të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre, pra 100 euro më shumë, deri kur të miratohet Ligji për Paga.
45.12 për qind apo 9 mijë e 707 mësimdhënës kishin treguar këtë qëndrim, ndërkaq 54.88 për qind ose 11 mijë e 809 ishin deklaruar pro pezullimit të grevës.
Gjatë kohës së grevës, Kurti thuajse në secilën paraqitje të tij pyetej për sindikalistët, dhe këta, i sulmonte me deklarata të ndryshme.
Kryeministri i akuzoi SBAShK-un se janë “sindikalistë të PAN-it”, pra PDK-së, AAK-së e NISMËS.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, kishte thënë Kurti.
I pari i Qeverisë kishte bërë edhe një deklaratë tjetër skandaloze, ku kishte pranuar rritjen e çmimeve, por duke thënë se kjo ka ndodhur për të gjithë, e jo veç për mësimdhënësit.
“E dyta, deputeti Krasniqi tha që ky është një problem specifik. Nuk është problem specifik. Unë i kam takuar shumë herë BSPK-në e SBAShK-un, dhe ata thoshin që janë rritur çmimet. Por, çmimet nuk janë rritur specifikisht për mësuesit dhe arsimtarët. Nëse në vetëshërbime do të shkruante që çmimet vlejnë vetëm për mësues dhe arsimtarë ky do të ishte problem. Çmimet janë rritur për të gjithë, dhe për të gjithë është Pakoja për inflacion. Ata janë kategori e veçantë, por problemi nuk është specifik”, tha ai.
Te sulmet ndaj sindikalistëve, sidomos ndaj kryesindikalistit Rrahman Jasharaj, duhet të përmendet edhe ai i eksponentit të Vetëvendosjes, Elvis Hoxha i cili tha se kryetari i SBASHK-ut është anëtar i një partie serbe.
Hoxha ishte mbrojtur nga bashkëpartiakët e tij për këtë deklaratë, derisa Kurti nuk u distancua kurrë nga një gjë e tillë e madje edhe kur ishte pyetur, kishte thënë se po deklarohet si kryeministër, e jo si kryetar i LVV-së.

