As Trainkos nuk ua paguan Trustin punëtorëve – mbi 300 mijë euro borxhe - NACIONALE

As Trainkos nuk ua paguan Trustin punëtorëve – mbi 300 mijë euro borxhe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në 2 vitet e fundit, me qindra punëtorë të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat “TRAINKOS” nuk kanë marrë asnjë cent për kursimet pensionale në Trust. Madje, borxhi i kompanisë ndaj punëtorëve kap vlerën e mbi 300 mijë eurove.

Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e fundit që është publikuar në faqen e Auditorit.

Deri te kjo situatë, sipas arsyetimit të ndërmarrjes ka ardhur si pasojë e kushteve të rënda financiare në të cilat punon kjo kompani.

“Ndërmarrja kishte prezantuar në pasqyrën e pozicionit financiar obligime tatimore ndaj pagave në vlerë 288.491 euro që nga vitit 2019 deri në vitin 2021, dhe obligimet ndaj kontributeve pensionale në vlerë 319,918 euro për periudhën 2020-2021 të cilat nuk ishin paguar sipas afateve mujore të përcaktuara me ligj. Vlen të theksohet se ndërmarrja në qershor të vitit 2021, kishte hyrë në marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës për pagesën me këste të këtyre obligimeve”, thuhet në raportin e auditorit.

“Sipas shpjegimeve të menaxhmentit, mos-pagesa e këtyre detyrimeve është si rezultat i gjendjes së vështirë financiare të kompanisë”, bëhet e ditur më tutje.

Sipas Auditorit, mos-pagesa e këtyre kontributeve ka rreziqe të shumta.

“Mos-pagesa e detyrimeve tatimore ndaj pagave dhe kontributeve pensionale, rritë rrezikun që të aplikohen ndëshkime nga autoritetet tatimore për mos pagesë të obligimeve në afatin kohor. Kjo ka ndikim në dispozitat kursimtore në Trustin Pensional të Kosovës, dhe rrjedhimisht edhe në pagesën e pensioneve më të vogla për punëtorët kur pensionohen, çka përbën shkelje ligjore të të drejtave të punëtorëve”, thuhet më tutje në raport.

Auditori ka propozuar edhe një rekomandim për këtë temë.

“Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjitha obligimet e prapambetura të kontributeve pensionale të paguhen sa më parë, si dhe të ndërpritet praktika e pagesës së pagave, pa pagesën edhe të tatimeve dhe kontributeve në paga”, theksohet në raport.

Probleme me Trust edhe në Trepçë

Trainkosi nuk është ndërmarrja e vetme që punëtorëve nuk ua paguan Trustin. Gazeta Nacionale kishte raportuar edhe për situatë të njëjtë në ndërmarrjen Trepça.

Gazeta Nacionale ka mësuar se që nga shtatori i vitit 2019, punëtorëve që hyjnë në kuadër të ndërmarrjes Trepça, nuk u është paguar Trusti. Pra, janë më shumë se 30 muaj që punëtorëve të Trepçës, nuk iu kryhen pagesat në Fondin për Kursime Pensionale.

Në disa të dhëna elektronike që gazetës ia kanë përcjellë punëtorët, shihet qartë që në gjithë vitin 2021 atyre nuk u është paguar asnjë cent në Trust. Një gjë të tillë, e kanë konfirmuar zyrtarisht për gazetën Nacionale nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.

Gani Osmani që është kryetar i Sindikatës ka treguar për Nacionalen detaje rreth këtij skandali. “Krejt punëtorëve të minierës Trepça, dikund rreth 630-640 punëtorë, nuk po e di numrin e saktë, pasi disa dalin në pension, nuk është duke iu paguar Trusti. Kam shku dhe kam këqyrë vetë. Prej vitit 2019, tre muajt e fundit të vitit 2019, është viti 2020 komplet, viti 2021 gjithashtu komplet. Plus këta katër muaj këtë vit, 31 muaj deri më tash që nuk u paguhet Trusti punëtorëve”, tregon për gazetën Nacionale kryesindikalisti Gani Osmani.

Mospagesa e Trustit për mbi 600 punëtorë të Trepçës, është shkelje flagrante e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës. Me këtë ligj, parashihet se secili punëdhënës është i obliguar t’ua paguajë kursimet pensionale punëtorëve.

“Çdo punëdhënës është i obliguar që të kontribuojë në emër të punonjësve të vet në Fondin e kursimeve pensionale. Punonjësit obligohen që të kontribuojnë në emër të vet në kursimet pensionale. Obligimet e punëdhënësit dhe të punonjësit fillojnë në ditën e parë të punësimit të punëdhënësit për punonjësit që kanë krijuar marrëdhënie pune dhe përfundojnë kur punonjësi arrin moshën e pensionit”, thuhet në ligj.

Pa Trust edhe punëtorët e pastrimit në kompaninë Uniteti

Janë në mesin e punëtorëve më të vlerësuar në Mitrovicë, Vushtrri e Skënderaj. Mbi 100 persona që punojnë në Kompaninë e Pastrimit “Uniteti”, përkujdesen që pastërtia të dominojë në këto tri qytete. Megjithatë, punëtorët e pastrimit në kompaninë “Uniteti” ndër vite janë ballafaquar me borxhe nga kompania, sidomos në pagesën e Trustit.

Në kushte anonimiteti nga punëtorët, gazeta Nacionale ka mësuar se që nga viti 2012 deri më tash, punëtorët janë ballafaqur me problem në pagesën e kursimeve pensionale, apo siç njihet, Trustit.

“Arsyeja e mospagesës është sipas tyre buxheti. Punëtorët e pastrimit kanë paga jodinjitoze, nuk u paguhet as trusti, ndonëse bëjnë punë të çmueshme për qytetet e Mitrovicës, Vushtrrisë e Skënderajt. Të njëjtit kanë pasur vazhdimisht ankesa edhe për vonesa të pagave”, ka thënë një burim brenda kompanisë për gazetën Nacionale.

Gjendja e vështirë financiare e kompanisë - mungesa e buxhetit, ka bërë që për gati 10 vjet, më shumë se 100 punëtorë të mbesin pa pagesën e Trustit. Në bazë të një përllogaritjeje, borxhi shkon në mbi 250 mijë euro.

Situata është përmirësuar pas vitit 2019, ku një pjesë e muajve janë paguar, përderisa borxhet e viteve të kaluara ende mbesin të papaguara nga kompania.

Lajme të ngjashme