Pas armëpushimit të shpallur njëanshëm nga Rusia, vjen reagimi i Ukrainës - NACIONALE

Pas armëpushimit të shpallur njëanshëm nga Rusia, vjen reagimi i Ukrainës

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një armëpushim në Ukrainë që do të zgjasë një ditë e gjysmë. Armëpushimi, njoftoi sot Kremlini, u urdhërua nga Putin për të shënuar Krishtlindjet, të cilat të krishterët ortodoksë e festojnë të shtunën, sipas njoftimit për shtyp.

Mihajlo Podoljak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, reagoi ndaj këtij vendimi, duke hedhur poshtë thirrjen e Putinit për armëpushim. Kujtojmë se Kremlini njoftoi më parë se Putini urdhëroi ministrin e tij të Mbrojtjes Sergei Shoigu të prezantojë një armëpushim 36-orësh përgjatë gjithë vijës së frontit në Ukrainë, i cili do të zgjasë nga mesdita e nesërme me orën lokale deri në mesnatën e 7 janarit.

"Ukraina nuk sulmoi territorin e huaj, Rusia e sulmoi"

"Së pari: Ukraina nuk sulmoi territorin e huaj dhe nuk vret civilë. Këtë e bën Federata Ruse. Ukraina shkatërron vetëm anëtarët e ushtrisë okupuese në territorin e saj", njoftoi Podoljak në Twitter.

"Dhe së dyti: Rusia duhet të largohet nga territoret e pushtuara - vetëm atëherë do të kemi një "armëpushim të përkohshëm". Mbani hipokrizinë tuaj për veten tuaj", tha Podoljak. /Nacionale/

Lajme të ngjashme