Parlamenti Evropian propozon një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë - NACIONALE

Parlamenti Evropian propozon një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Parlamenti Evropian kërkoi nga institucionet e BE-së që të punojnë për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës, të përgatisin një plan për pranimin e këtij vendi në tregun e përbashkët të BE-së dhe të prezantojnë paketën e dhjetë të sanksioneve kundër Rusisë.

Në rezolutën jo ligjërisht të detyrueshme të votuar në seancën plenare në Bruksel, përfaqësuesit kërkojnë "fillimin e punës për hapjen e negociatave të anëtarësimit" dhe krijimin e një "harte rrugore me skicat e hapave të ardhshëm për të mundësuar anëtarësimin e Ukrainës në BE".

Një shumicë e madhe votuan për rezolutën, 489 ishin pro, 36 ishin kundër dhe 49 abstenuan.

Mbështetje për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Deputetët përsëritën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në BE, duke theksuar se procesi i anëtarësimit bazohet në merita, pra në përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësim dhe kriteret e anëtarësimit. Në këtë drejtim, ata u bënë thirrje autoriteteve ukrainase që të ndërmarrin reformat e duhura për t'u lidhur me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur.

Përfaqësuesit u bënë thirrje gjithashtu anëtarëve të BE-së që të rrisin dhe përshpejtojnë dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë, veçanërisht në armë, por edhe të ofrojnë mbështetje ekonomike, financiare, infrastrukturore dhe humanitare.

Përpara samitit BE-Ukrainë, i cili do të mbahet të premten në Kiev, përfaqësuesit evropianë po kërkojnë një paketë gjithëpërfshirëse ndihme për rindërtimin e Ukrainës. Ata propozojnë që për këtë qëllim të përdoren fondet e ngrira të bankës qendrore ruse dhe asetet e oligarkëve rusë.

Parlamentarët kërkojnë gjithashtu futjen e paketës së dhjetë të sanksioneve kundër Rusisë dhe sanksionimin e kompanive si Lukoil dhe Rosatom, të cilat ende operojnë në tregun e BE-së. Ata gjithashtu bëjnë thirrje për një embargo të plotë të importit të lëndëve djegëse fosile dhe uraniumit nga Rusia dhe për braktisjen përfundimtare të tubacioneve të gazit Nord Stream 1 dhe 2. /Nacionale/

Lajme të ngjashme