Parlajmëron Stoltenberg: Afrimi i Rusisë me Kinën, kërcënim për Evropën - NACIONALE

Parlajmëron Stoltenberg: Afrimi i Rusisë me Kinën, kërcënim për Evropën

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se marrëdhëniet në rritje të Rusisë dhe Kinës përbëjnë një kërcënim jo vetëm për Azinë, por edhe për Evropën.

Në një fjalim të mbajtur në Universitetin Keio në Tokio, shefi i NATO-s ka nënvizuar rëndësinë e një bashkëpunimi të fortë dhe të më shumë “miqve” për NATO-n në rajonin Indo-Paqësor, duke thënë se lufta në Ukrainë ka treguar se si “siguria është e ndërlidhur”.

“Fakti që Rusia dhe Kina po afrohen dhe investimet e rëndësishme të Kinës dhe aftësitë e reja të avancuara ushtarake vetëm nënvizojnë se Kina përbën një kërcënim, përbën një sfidë edhe për aleatët e NATO-s. Siguria nuk është rajonale, por globale,”- ka thënë ai.

Ai po ashtu ka përmendur faktin që Kina është duke investuar gjithnjë e më shumë në armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë, pa ofruar transparencë ose pa u angazhuar në dialog mbi kontrollin e armëve atomike.

Ndërkohë, përgjigje për këto deklarata ka ardhur nga Kina, me zëdhënësin e ministrisë së Jashtme, Mao Ning, i cili duke kritikuar NATO-n për etiketimin e Kinës si një kërcënim, ka thënë se Pekini ishte "një forcë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global" .

Lajme të ngjashme