Paratë e shtetit në pluhur: Gjendja e veturave të MASHT-it mjeruese, ministria “çele guri gojën” - NACIONALE

Paratë e shtetit në pluhur: Gjendja e veturave të MASHT-it mjeruese, ministria “çele guri gojën”

10 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Vetura zyrtare të braktisura në bodrumin e MASH-it – Asetet e shtetit në gjendje të mjerueshme!

Këto që po i shihni në video nuk janë skena nga një parking i braktisur, por vetura zyrtare – prona të shtetit të Kosovës, të blera me para publike. Janë veturat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat sot nuk kanë asgjë të përbashkët me funksionalitetin apo përdorimin për qëllime zyrtare.

Me pluhur që mund të shërbejë si maskë për fytyrën, guma të shfryra dhe dritare të zverdhura nga harresa, këto automjete qëndrojnë në bodrumin e MASH-it – të harruara dhe të injoruara. Shikoni mirë: kjo është mënyra se si trajtohen asetet e shtetit.

Ironikisht, këto vetura ende janë të regjistruara si mjete zyrtare, por realiteti është krejt tjetër: këto vetura nuk e kryejnë asnjë funksion, e lëre më të jenë në shërbim të qytetarëve. Janë kthyer në hekurishte me status të "zyrtarizuar".

Gazeta Nacionale ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit për këtë skandal të heshtur. Pyetjet janë dërguar që në fillim të javës, por ministria, deri në publikimin e kësaj video, nuk kanë kthyer përgjigje.

Në kohën kur institucionet publike ankohen për mungesë fondesh, kur nxënësit në shkolla përballen me mungesë mjetesh mësimore e kushte elementare, këto automjete të braktisura janë një dëshmi e qartë e keqmenaxhimit dhe papërgjegjësisë. Sa do të duhej të kushtonte një servisim, krahasuar me vlerën që kanë humbur përmes neglizhencës?

Këto video janë realiteti që shumica e institucioneve përpiqen ta mbulojnë me komunikata të thata dhe heshtje zyrtare. Por pluhuri mbi këto makina flet më shumë sesa fjalët që ministria nuk po i thotë.

Nacionale në vazhdimësi do mundohet që të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit, apo nga udhëheqësja e këtij digasterit, Arbëria Nagavci.

Lajme të ngjashme