Parafushata | Punëtori, takime me qytetarë, vendime elektorale qeveritare: Çka po bëjnë kandidatët për kryeministër? - NACIONALE

Parafushata | Punëtori, takime me qytetarë, vendime elektorale qeveritare: Çka po bëjnë kandidatët për kryeministër?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Afrimi i datës së zgjedhjeve ka intensifikuar parafushatën e partive politike dhe kandidatëve për kryeministër. Këta të fundit me aktivitete të ndryshme po mundohen të jenë sa më afër qytetarëve. Derisa kandidatët për kryeministër nga radhët e opozitës po i publikojnë platformat e tyre para qytetarëve, kryeministri Albin Kurti, ka marrë vendimet qeveritare, të cilat po konsiderohen si elektorale.

Kandidati i PDK-së për kryeministër ka vazhduar organizimin e punëtorive me qytetarë nëpër qytetet ndryshme të Kosovës.

Të fundit, ai e ka mbajtur dje në qytetin e Vushtrrisë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se do të vazhdon të flasë dhe punojë vetëm për atë që ka rëndësi për qytetarët e Kosovës.

Pasdite e mirë në Kalanë e Vushtrrisë, me bashkëbiseda të sinqerta me mësimdhënës, ndërmarrës, studentë dhe njerëz të artit e kulturës të kësaj komune. Beteja jonë është me problemet e qytetarëve, të cilët meritojnë mirëqenie më dinjitoze, paga më të larta, ekonomi më të zhvilluar, shëndetësi më të mirë dhe arsim më cilësor. Ne do të vazhdojmë të flasim dhe punojmë vetëm për atë që ka rëndësi për qytetarët dhe vendin tonë. Kosova është shtëpia jonë e përbashkët dhe me përkushtim e punë do ta bëjmë më të mirë”, ka shkruar Hamza.

Punëtori të tilla, ai ka mbajtur edhe në Gjakovë dhe Ferizaj.

Takimet me qytetarët i ka vazhduar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili pritet të jetë kandidat i kësaj parti për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.

I pari i LDK-së, po i praktikon takimet me qytetarë në grupe me të vogla.

Dje, ai ka qëndruar në Drenicë, ku ka vizituar kullën e heroit Ismet Rrahmani në fshatin Açarëvë të Komunës së Skenderajt.

Këtë mëngjes, së bashku me Kujtimin, qëndruam në Drenicë, në Açarevë, në Kullën e Heroit Ismet Rrahmani. Aty u prita nga vëllezërit e familjarët e Heroit Nderova kontributin e luftëtarit të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të gjithë përpjekjes popullore për liri, pavarësi e demokraci. Duke nderuar të shkuarën, bëjmë të ardhmen!”, ka shkruar Abdixhiu në profilin e tij në “Facebook”.

Në vikend, ai ka mbledhur forumin e LDK-së në Rugovë.

Me të rinjtë e të rejat e Forumit, qëndrova në Rugovë, në përgatitjet finale para nisjes së kampanjës së madhe të vullnetarizmit për Lidhjen dhe zgjedhjet e 9 shkurtit. Këta 100 të rinj do të qëndrojnë në secilin qytet e secilin shesh, për t’i ftuar gjithë të rinjtë e të rejat e tjera të angazhohen jo vetëm në një përvojë interesante nga tash e deri në shkurt, por dhe në rrugën tonë të re pas shkurtit! Kjo lidhje, po nis me plot pasion e energji, me plot ëndrra të një gjenerate të re që kupton se e ardhmja nuk pritet por bëhet. Koha ta bëjmë këtë të ardhme!”, ka shkruar Abdixhiku.

Para disa dite, i pari i LDK-së ka vizituar disa familje në fshatrat Astrazup dhe Ngucat në Komunës së Malishevës.

Kurse, kandidati i koalicionit AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka takuar kategori ta caktuar të shoqërisë kosovare.

Në këtë kuadër, ai ka takuar përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës, të cilëve u ka premtuar rritje të pensioneve.

Më këtë rast, në cilësinë e kandidatit për kryeministër nga koalicioni; AAK, Nisma, Konservatorët dhe E-30, pata kënaqësinë që ta shpalos një pjesë të programit tonë që trajton kategoritë e pensionistëve për periudhën 2025-2029. Projeksionet tona për 2025-2029 parashikojnë një rritje prej 50% për të gjitha skemat pensionale. Jemi të vendosur që pensioni për kontributdhënësit të mos mbetet nën pagën minimale, e cila do të arrijë në 500 euro. Gjithashtu, po punojmë për të rishikuar uljen e kriterit prej 15 viteve përvojë pune, i cili aktualisht pengon shumë qytetarë të përfitojnë atë që meritojnë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Po ashtu, ai në Gjilan ka takuar edhe përfaqësuesit e shoqatën HANDIKOS, ku është informuar për situatën e personave me nevoja të veçanta.

Gjatë këtyre ditëve, Haradinaj është marrë edhe me konsolidimin e radhëve partiake për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurti ka rritur pensionet

Ndryshe nga kandidatët për kryeministër të partive opozitare, kryeministri Albin Kurti ka përdorur kompetencat e tij për të marrë vendimin për ngritjen e pensioneve.

Katër muaj para zgjedhjeve, ai ka vendosur që pensionet të rriten 20 për qind.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ai ka treguar për kategoritë që do të përfitojnë.

Duke filluar nga ky muaj, do të rrisim për 20% të gjitha pensionet: pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë e të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti.

Ai ka paralajmëruar se një muaj para zgjedhjeve, në janar, do të rriten edhe pensionet e kategorive të dala nga lufta.

Nga muaji janar do të rriten pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidëve, viktimave të dhunës seksuale. Për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë. Për familjet e dëshmorëve dhe të të zhdukurve që kanë më shumë se 1 dëshmorë, do të ndryshohet edhe formula e pensionit duke e rritur për 50% të dëshmorit bazë”, është shprehur Kurti.

Një veprim i tillë i kryeministrit ka nxitur kritika të shumta në vend. Opozita dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se ngritja e pensioneve në këtë kohë është veprim elektorali i kryeministrit.

Gjithashtu, Kurti të dielën ka mbledhur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshme të VV-së, ku iu ka bërë thirrje strukturave partiake të mobilizohen për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lajme të ngjashme